Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Asamblistja e VV-së kërkon nga ministri Vitia terapi për pacientët me fibrozë cistike

Asamblistja e VV-së kërkon nga ministri Vitia terapi për pacientët me fibrozë cistike
Foto: reporteri.al

Vlora Vuqiterna, asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Rahovec, u ka dërguar thirrje publike ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke kërkuar sigurimin e terapisë Trikafta (Kaftrio) për pacientët që vuajnë nga fibroza cistike.

Thirrja e asamblistes

Vuqiterna, e cila përmes një postimi në ‘Facebook’ theksoi se është edhe nënë e një vajze me këtë sëmundje, ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë ta trajtojë me urgjencë kërkesën e Shoqatës së Fibrozës Cistike. Sipas saj, kjo kërkesë është dërguar disa herë gjatë viteve, shkruan Insajderi.

Familjet para dilemës së largimit

Ajo tha se mungesa e kësaj terapie po i detyron disa familje të mendojnë për largimin nga Kosova, në mënyrë që fëmijët e tyre të kenë qasje në trajtimin që u nevojitet.

“Barnat dhe trajtimet që tashmë janë të qasshme në shtetet e rajonit duhet të bëhen të qasshme edhe për fëmijët tanë. Ata nuk meritojnë të kenë më pak mundësi për të jetuar vetëm pse kanë lindur në Kosovë”, tha ndër të tjera ajo.

Sipas saj, mbi 170 pacientë kanë qenë të regjistruar me fibrozë cistike, ndërsa aktualisht janë rreth 60 pacientë.

“Ne nuk po kërkojmë privilegj. Po kërkojmë të drejtën për jetë, frymëmarrje dhe trajtim dinjitoz për fëmijët tanë”, ka shkruar ajo, duke i bërë thirrje ministrit Vitia që ta dëgjojë kërkesën e familjeve. /Insajderi.org/

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha