Një paciente nga rajoni i Prizrenit, e cila vuante nga kanceri i gjirit dhe po trajtohej në Klinikën e Onkologjisë, kishte kërkuar ndihmën e institucioneve për sigurimin e barit “Palbociclib”, disa muaj para se të vdiste në tetor të këtij viti.
Kërkesa zyrtare e pacientes
Më 28 qershor 2026, pacientja i kishte dërguar letra ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, dhe drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, duke kërkuar ndërhyrje për sigurimin e terapisë që i nevojitej.
Në letrën e siguruar nga KALLXO.com, pacientja tregonte se për gjashtë muaj kishte përdorur këtë terapi dhe se ajo kishte dhënë rezultate të mira, duke ia lehtësuar dhimbjet dhe përmirësuar gjendjen shëndetësore.
“Për 6 muaj kam përdorur këtë terapi dhe ka dhënë rezultate shumë të mira. Dhimbjet më janë lehtësuar, gjendja ime shëndetësore është përmirësuar, duke m’u kthyer shpresa për të vazhduar jetën, të cilën e dua shumë, që të jem në mesin e familjes”, kishte shkruar ajo.
Mungesa e barit
Por, pacientja kishte treguar se që nga 10 maji nuk kishte mundur ta merrte më barin për shkak të mungesës së tij.
“Por fati im i keq është se nga 10 maji, kur kam pasë me e marrë terapinë, nuk e kam përdorur sepse është në mungesë, e cila është shpresa e jetës time. Dhimbjet menjëherë u rikthyen sikur para përdorimit të terapisë. Kjo mungesë po ndikon shumë rëndë në jetën time të përditshme”, thuhej në letër.
Ajo u kishte kërkuar institucioneve që të ndërmerrnin masa sa më parë për sigurimin e barit, duke e cilësuar atë jetik për veten dhe pacientët e tjerë që kishin nevojë për të.
“Me respekt, ju lutem të ndërmerrni sa më parë masat e nevojshme për sigurimin e terapisë ‘Palbociclib’, pasi për mua dhe shumë pacientë të tjerë kjo terapi është jetike”, kishte shkruar pacientja.
Reagimi i organizatës dhe institucioneve
Pas vdekjes së saj, organizata “Renesansa” kishte ngritur shqetësimin për mungesën e këtij bari. Përfaqësuesja e organizatës, Violeta Pirana, kishte deklaruar se për këtë çështje kishte njoftuar ministrin Vitia, QKUK-në dhe drejtuesit e Onkologjisë që në muajin qershor.
Deri në publikimin e raportimit, asnjëri prej tyre nuk kishte kthyer përgjigje.
Burimi: insajderi.org









