Avokati dhe analisti Rezart Kthupi, i ftuar të dielën në emisionin “Review” me Greta Topjanën në Euronews Albania, ka folur për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Partia Socialiste. Sipas tij, arsyet e këtij vendimi nuk lidhen me çështje si reforma territoriale, por me deklaratat dhe kritikat e Spiropalit ndaj kryetarit të partisë.
Arsyeja e përjashtimit sipas Kthupit
“Spiropali s’u përjashtua për reformën territoriale. Zonja Spiropali u përjashtua për një arsye shumë të thjeshtë: në atë parti nuk mund të kesh mendim ndryshe. Duhet të kesh vetëm mendimin e kryetarit.
Zonja Spiropali dhe zoti Braçe ngritën një shqetësim publik në raport me një ligj që parashikohej të kalonte. Pastaj u mblodh grupi parlamentar i PS-së dhe vendosi që do ta votonim ligjin. Kur grupi parlamentar thotë që do ta votojmë ligjin, kjo është vijë politike e partisë, dhe ti nuk ke ku lëviz, ose ik nga partia.
Nëse grupi parlamentar thotë që ti mund të votosh si do për ligjin, atëherë ndjek vullnetin tënd. Ajo nuk u përjashtua sepse mbajti një qëndrim politik të ndryshëm nga partia. Zonja Spiropali ka votuar çdo ligj që ka votuar Partia Socialiste. Domethënë, në konceptin e deputetit, ka ndjekur linjën politike të partisë, gjë që duhet të bëjë çdo deputet për sa kohë është pjesë e asaj force politike.
Kritikat ndaj kryetarit
Zonja Spiropali po përjashtohet sepse ka kritikuar kryetarin: i ka thënë se mungon demokracia e brendshme në parti, se nuk merren parasysh mendimet e ndryshme, se nuk mund të qeveriset në këtë formë, dhe se ka njerëz të korruptuar, madje se vetë kryetari është i korruptuar.
Pra, problemi i saj ishte me kryetarin, jo me vijën politike të partisë. Ajo nuk u kundërvu partisë për t’i thënë se po largohet. I tha kryetarit se nuk ishte në tërësi dhe se duhej të merrte masa.
Dhe ajo që bën Elisa është shprehja më e lartë e demokracisë së mundshme brenda një partie, kur kritikon qëndrimin e kryetarit”, tha ai.
Nga Nano, grupi që votoi Bamir Topin, Kokëdhima e Spiropali! Të gjitha rastet e përjashtimeve nga PS
Burimi: euronews.al










