Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Infermierja rrëfen betejën e saj me kancerin e gjirit

Infermierja rrëfen betejën e saj me kancerin e gjirit
Foto: lajmifundit.al

Për 33 vite me radhë, Marjeta Çoçka, 55 vjeçe, kishte veshur bluzën e bardhë për t’u ardhur në ndihmë dhjetëra pacientëve në spitalin e Elbasanit. Ajo ishte ajo që u jepte kurajë, që kujdesej për të sëmurët dhe që u fliste për rëndësinë e shëndetit. Por këtë herë, jeta i rezervoi një sfidë të vështirë. Infermierja me 33 vite përvojë do të përballej vetë me një sëmundje të rëndë, kancerin e gjirit.

Zbulimi në plazh dhe diagnoza

“Jam Marjeta, infermiere prej 33 vitesh në kardiologjinë e Elbasanit. Për mua është viti 2026, sidomos muaji qershor, një sfidë e madhe. Isha në plazh me familjen dhe pashë që diçka nuk funksiononte në trupin tim. Pikërisht në gjoks më kishte dalë një grop. Aty për momentin nuk i thashë familjes asgjë, prita që të ktheheshim nga plazhi, dhe më 2 korrik i tregova kryeinfermieres historinë. Ajo më çoi direkt te pavioni i onkologjisë dhe brenda 2 orësh i mbarova të gjitha ekzaminimet. Më 10 gusht u operova”, tha Marjeta Çoçka, infermiere.

Momenti më i vështirë: t’ia thuash familjes

Përtej përballjes me sëmundjen, momenti më i vështirë për të ishte t’u tregonte lajmin bashkëshortit dhe djalit të saj të vetëm. Me lot në sy, ajo kujton emocionet dhe frikën që përjetoi familja pas diagnostikimit.

“Ishte një sfidë shumë e madhe për mua, unë kam një djalë vetëm. Si do ua thoja familjarëve, ishte gjëja më e vështirë dhe për këtë kam derdhur shumë lot. Shkova në shtëpi, bëra drekën dhe kur mbaruam bukën, u thashë të ulen pak sepse do t’u tregoja një lajm. Im shoq u bë më i fortë, kurse im bir e përjetoi jashtë mase”, shtoi Çoçka.

Gabimi i një infermiere

Edhe pse prej 33 vitesh punonte në sistemin shëndetësor dhe këshillonte pacientët për rëndësinë e kontrolleve, Marjeta pranon se vetë nuk kishte kryer asnjëherë mamografi apo eko të gjirit.

“Ua rekomandoja të gjitha grave që të bënin mamografi, ndërsa për veten time, pas 33 vitesh pune, nuk kisha bërë asnjë analizë, as mamografi, as eko. Ky është gabimi më i madh. Edhe pse kam bërë shumë fushata, kur u diagnostikova me këtë sëmundje e kuptova këtë. Ne duhet të shkojmë me vrap te mjeku për t’i bërë këto kontrolle rutinë”, tha infermierja.

Historia e Marjetës nuk është vetëm rrëfimi i një gruaje që u përball me kancerin e gjirit. Është një thirrje për çdo grua që, mes punës, familjes dhe përkujdesjes për të tjerët, harron veten. Sepse edhe ata që kujdesen çdo ditë për shëndetin e të tjerëve nuk duhet ta neglizhojnë shëndetin e tyre.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha