I ftuar në emisionin “Review” të drejtuar nga Greta Topjana, deputeti i “Lëvizjes Bashkë”, Redi Muçi, bëri me dije se Arlind Qori do të jetë kandidati i kësaj force politike për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 majit 2027.
Kandidatura e Arlind Qorit
Muçi theksoi se partia ka bërë tashmë publike kandidaturën e kryetarit të saj për këtë garë. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që Qori të dalë fitues, duke iu referuar edhe shembujve nga qytete të tjera, si Nju Jorku dhe Berlini.
“Ne, te ‘Lëvizja Bashkë’, e kemi shpallur kandidaturën e Arlind Qorit, që është kryetari i partisë sonë, për Bashkinë e Tiranës. Dhe nëse dy përfaqësuesit që janë këtu vënë në dyshim integritetin, ndershmërinë, vullnetin për të ndërtuar një program, një platformë qeverisëse për Tiranën, si dhe besnikërinë ndaj këtij programi, atëherë ok. Por ne e kemi kandidatin tonë, që është kryetari i partisë, zoti Arlind Qori. Përderisa gara për Bashkinë e Tiranës është mazhoritare e pastër, ku mjafton një votë më shumë, në kontekstin e gjithë situatës ku ndodhemi, në raport me këtë protestë që ka vazhduar kaq gjatë, nuk do ta përjashtoja fitoren e Arlind Qorit, duke marrë edhe shembuj si Nju Jorku, Berlini e me radhë. Ka plot shembuj”, tha Muçi.
Burimi: euronews.al