Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Opinion

Lamtumirë profesor Omari, rrëfimi për pushkatimin e babait

Nga Piro Vito

Në vitet e fundit, radhët e intelektualëve shqiptarë janë paktësuar me figura që kanë ndikuar thellësisht në zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Këtyre humbjeve iu shtua edhe një më e rënda, ajo e profesor Luan Omarit. Këtë e pohoj me bindje të plotë. Është nder dhe përgjegjësi e madhe për mua të shkruaj për të, pasi kam qenë student dhe për një kohë asistent i tij në lëndën Teoria e shtetit dhe e së drejtës.

Nuk është mosha ajo që përcakton vlerën e një njeriu që ndahet nga jeta, por trashëgimia që ai lë pas. Sipas këtij kriteri, pa asnjë dyshim duhet thënë se profesor Luani do të mbetet në historinë e Shqipërisë si një ndër intelektualët më të dalluar, që la gjurmë të pashlyeshme në fushat ku punoi dhe në sektorët që drejtoi.

Profesor Luan Omari dhe brezi i tij

Njerëzit e brezit të tij kanë qenë dhe do të mbeten pikë referimi për gjeneratat e ardhshme të vendit tonë. I formuar me cilësitë më të çmuara të moralit dhe dinjitetit njerëzor, i thjeshtë, i urtë, i ditur dhe i ndershëm deri në palcë, ai ia kushtoi gjithë jetën punës për përparimin dhe begatimin e atdheut, si dhe për konsolidimin e shoqërisë shqiptare. Nuk e teproj po të them se për këto cilësi ai mund të krahasohej vetëm me vetveten.

Qysh në moshë të re, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Luani u rreshtua në krahun e duhur, në mbrojtje të interesave të vendit. Pas fitores mbi nazi-fashistët, ai u angazhua në punët e vështira për rindërtimin e Shqipërisë së shkatërruar, ngritjen e institucioneve të shtetit të ri, si dhe zhvillimin e shpejtë të ekonomisë, arsimit e kulturës. Këtë punë të madhe ai e shoqëroi me përpjekjet për përfundimin e arsimit të lartë, zgjerimin e njohurive profesionale dhe mësimin e gjuhëve të huaja.

Luani ishte ndër themeluesit e Universitetit të Tiranës. Falë njohurive dhe aftësive të tij, atij iu besua detyra e dekanit të Fakultetit të Drejtësisë. Në sajë të interesimit të tij, në katedrat e atij fakulteti u tërhoqën dhe u angazhuan kuadro me integritet moral dhe aftësi profesionale, si pjesë e stafit pedagogjik ose si lektorë të jashtëm nga të gjitha krahinat dhe trevat shqiptare: Andrea Nathanaili, Vangjel Meksi, Kristo Çevi, Zenulla Ballaca, Ismet Elezi, Xhemil Çela, Jusuf Alibali, Haxhi Bardhi, Spiro Çipi, Dhimo Dhima, Zija Xholi, Nonda Papuli, Aranit Çela, Nazmi Peza, Feti Gjilani, Bujar Hoxha, Arben Puto, Alfred Uci, Ylvi Vehbiu, Tefik Çaushi, Hamit Beqja, Skënder dhe Ksanthipi Begeja, Gramoz Hysi etj.

Profesor Luanin do ta shihje përditë në sallën e studimit të Bibliotekës Kombëtare, krah kolegëve dhe miqve të tij Andon Kuqali e Koço Nova, baballarët e të cilëve ishin pushkatuar me akuzën e kolaboracionizmit ose për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike.

Puna akademike dhe lidhjet me Kosovën

Falë punës së palodhur të ekipit të drejtuar nga prof. Luani u përgatitën breza të tërë që nuk duhej ta shihnin teorinë si dogmë të dhënë njëherë e përgjithmonë, por si diçka në ndryshim të vazhdueshëm, përmes gërshetimit të pikëpamjeve filozofike, morale e politike me parimet juridike, duke filluar nga mendimtarët e lashtësisë si Sokrati, Platoni, Aristoteli, Ciceroni, Justiniani etj., dhe duke vijuar me mendimet e shprehura në veprat dhe idetë e autorëve të kohëve të mëvonshme si Hugo Grocius, Spinoza, Xhon Loku, Tomas Hobsi, Adam Smithi, Makiaveli, Kanti, Hegeli e Shopenhaueri, deri te Marksi, Lenini e Roza Luksemburgu.

I padiskutueshëm ishte roli i profesor Luan Omarit në ngritjen e Akademisë së Shkencave dhe të institucioneve në varësi të saj, çka mundësoi rritjen e nivelit të punës shkencore, vendosjen dhe zgjerimin e lidhjeve me institucionet e huaja, sidomos në kthimin e Tiranës në qendër të studimeve albanologjike. Në veçanti ai u angazhua në vendosjen e kontakteve dhe shkëmbimeve me institucionet analoge të Kosovës. Në raporte të tensionuara dhe tepër komplekse shqiptaro-jugosllave, ato shkëmbime i shërbyen forcimit të marrëdhënieve midis pjesëve të ndara të kombit. Nëpërmjet kontakteve, intelektualët shqiptarë u njohën dhe shkëmbyen mendime se si në ato rrethana përballohej presioni i egër i shovinistëve serb mbi Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të ndara nga padrejtësitë e kohës.

Profesor Luani ishte njohës i disa gjuhëve, përkthyes i librave me karakter juridik, historik e filozofik, dhe pjesëmarrës në aktivitete shkencore ku përfaqësoi me dinjitet vendin tonë.

E paharruar do të mbetet për mua vizita e tij në Bukuresht, më 21 shtator të vitit 1991, për të marrë pjesë në 125-vjetorin e Akademisë Rumune. E pritëm me të gjithë shokët e ambasadës. Në mbrëmje të asaj dite, televizioni rumun dha disa sekuenca nga ekzekutimi i çiftit Çaushesku. “Këto pamje më tronditën”, ndërhyri profesor Luani, “sepse më kujtojnë fundin tragjik të babait tim”. U zura ngushtë kur dëgjova ato fjalë. Nuk më shkonte në mendje ta prekja atë bisedë delikate, por kur vura re se ai vazhdoi të shprehej, qëndrova në qetësi.

Fjalët e tij ishin të sinqerta e të çiltra. E vlerësoi të atin si burrë serioz, në veçanti qëndrimin atdhetar që mbajti pjesën më të madhe të jetës dhe rolin që luajti në vitet e Luftës së Parë Botërore, kur e ardhmja e Shqipërisë ishte në pikëpyetje. Në atë kohë babai kryente detyrën e nënprefektit të Himarës dhe demaskoi politikën antishqiptare të qarqeve shoviniste greke, u bë frymëzues dhe mbështetës i çetave që zmbrapsën andartët grekë, të cilët kryen krime të përbindshme në jug të Shqipërisë. Më pas ai shkoi në SHBA, ku drejtoi gazetën Dielli, në faqet e së cilës mbrojti me pasion çështjen kombëtare. U kthye në atdhe dhe u rreshtua në krahun e opozitës parlamentare. Pas dështimit të revolucionit të qershorit në 1924, erdhi Ahmet Zogu me ndihmën e Pashiçit dhe të rusëve të bardhë. Zogu ishte mjeshtër i mbaruar për likuidimin e kundërshtarëve politikë. Në ato rrethana, babai u largua në vendet perëndimore. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste u kthye në atdhe, por u rreshtua në krahun e gabuar. Lufta i ndau njerëzit jo vetëm brenda fisit, por edhe në rrethin e ngushtë familjar.

Në vijim profesor Luani theksoi se ai kishte qenë prezent kur babai u grind me Enver Hoxhën për qëndrimin ndaj Ballit Kombëtar. Ai e quante manovër taktike e të përkohshme të imponuar nga rrethanat, ndërsa veprimet e komunistëve brenda Frontit NÇL si punë kalamajsh. Akoma më ashpër e dënoi Enveri futjen e tij në qeverinë Mitrovica pas mbledhjes së Mukjes, të cilën e kundërshtoi me shprehjen që përdorej rëndom në Gjirokastër: “Dhëntë dhe dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres”. Domethënia e shprehjes në atë kontekst ishte e qartë: luftën e bënte fronti i udhëhequr nga partia, kurse Balli Kombëtar dhe pasuesit e tij, që ishin sehirxhinj, donin pushtetin. Unë nuk ndërhyrja në bisedë, sepse babai ishte autoritar dhe do t’i merrte parasysh fjalët e mia, aq më tepër që për vete e kisha caktuar rrugën që do ndiqja. Ndërhyrja ime do të ishte njëlloj si t’i hidhje benzinë zjarrit.

Babai im u pushkatua më 13 prill 1945. Ishte një ngjarje që tronditi familjen, një plagë e rëndë që na dhembi tërë jetën. Të gjithë në familje ndjemë një farë ngushëllimi kur dëgjuam fjalët e fundit që shqiptoi para skuadrës së pushkatimit, duke iu drejtuar shokëve: “Ktheni fytyrën nga pushkët. Vetëm tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjykatës i paanshëm.”

Ky ishte një ngushëllim i përkohshëm, sepse gjithë jetën mbetëm të dyzuar. Më tepër se të tjerët këtë ngjarje e përjetoi nëna, që ishte një bashkëshorte e përkushtuar. Qysh atë ditë që mësoi ç’kishte ndodhur, ajo u tjetërsua dhe nuk e ngriti kokën derisa u shua. Rrobat e zeza nuk i hoqi nga trupi, nuk qeshi me buzë, por as vëllait, Enverit, nuk ia fali qëndrimin që mbajti.

Pas kësaj bisede të gjatë nuk isha në gjendje të analizoja shpjegimet e hollësishme të prof. Luanit. Kishte kaluar mesi i natës kur e përcollëm në hotelin e quajtur Lido. Vite më vonë, duke reflektuar, më erdhën ndër mend vargjet e poetit të njohur Arben Duka, botuar në Dita: “De mor Enver Hoxha, që të kishim hekur, o mos kishe lindur, o mos kishte vdekur.”

Ndryshimet që ndodhën në botë pas rënies së murit të Berlinit tërhoqën vëmendjen e prof. Luanit. Ai ishte ndër të parët që mbështeti idenë e pluralizmit, por u pezmatua pa masë kur dëgjoi që gjatë zbatimit në praktikë të proceseve demokratike u kryen vandalizma që s’mund të imagjinoheshin, siç ishte shkatërrimi i qindra veprave industriale që u ndërtuan me mundin dhe djersën e popullit, kur në jetën e vendit u shfaqën dukuri të shëmtuara si shpërndarja e lëndëve narkotike, prostitucioni dhe kriminaliteti.

Ndarja nga jeta e profesorit ishte një ngjarje që preku të gjithë ata që e kanë njohur. Ai do të mbetet ikona e njeriut me cilësi të veçanta, që punoi si rrallë kush për vendin dhe kombin. Në mbyllje të këtij shkrimi, që i kalon caqet e një homazhi, në pamundësi për të marrë pjesë në ceremoninë e përcjelljes, i shpreh bashkëshortes Donika, vajzës Anila si dhe gjithë të afërmve ngushëllime të sinqerta.

 

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha