Drilon Gashi, ish-këshilltar i Glauk Konjufcës dhe dikur teolog në Kosovë, ka bërë me dije se është larguar nga vendi dhe se tani punon në një kantier ndërtimi në Gjermani, pasi, sipas tij, nuk ka mundur të gjejë mundësi të qëndrueshme punësimi në vendlindje.
Në një postim të publikuar në Facebook, Gashi tregon se në moshën 39-vjeçare e ka gjetur veten në Gjermani, duke vendosur pllaka dhe duke kryer punë të tjera fizike në ndërtimtari, shkruan Insajderi.
Përvoja e kërkimit të punës në Kosovë
“Kam konkurruar në rreth 60 vende pune në Kosovë. Kam trokitur në dyert e institucionesh, kompanish dhe njerëzish me ndikim. Kam përjetuar refuzime, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të njëpasnjëshme. Kam punuar edhe për 500–600 euro, në kushte ku ndonjëherë mungonin edhe tualetet për punëtorët. Nuk pretendoj se në çdo konkurs më është bërë padrejtësi. As se çdo dështim imi është faj i dikujt tjetër. Kam edhe unë përgjegjësinë time për vendimet që kam marrë…”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
“Me katër fëmijë, me detyrime bankare dhe përgjegjësi familjare, erdhi një ditë kur nuk mund të prisja më. Mora rrugën e mërgimit”, ka shkruar më tej ai.
Lidhja me Kosovën dhe thirrja për dinjitet
Ai ka thënë se vazhdon ta dojë Kosovën, por sipas tij, vendi duhet të jetë edhe një hapësirë ku qytetarët mund të punojnë, të jetojnë dhe t’i rrisin fëmijët me dinjitet, e jo të detyrohen ta kërkojnë të ardhmen jashtë saj. /Insajderi.org/
Burimi: insajderi.org

