Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

ASHAK sjell mbrëmjen muzikore me premierë nga Trimor Dhomi dhe Vasil Tole

ASHAK sjell mbrëmjen muzikore me premierë nga Trimor Dhomi dhe Vasil Tole
Foto: reporteri.al

Flonja Haxhaj

Salla e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës u bë mbrëmjen e së hënës nikoqire e një koncerti muzikor, të organizuar nga Seksioni i Arteve. Programi bashkoi vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj, të interpretuara me zë dhe me instrumente, shkruan KultPlus.

Koncerti i bashkoi sopranot Lorika Ismajli, Arta Jashari, Zana Abazi-Ramadani dhe Besa Llugiqi, pianistët Menan Berviniku dhe Lirika Pula-Kasapolli, si dhe violonçelistin Antonio Gashi. Para publikut ata sollën një repertor që lidhi muzikën operistike me krijimtarinë pianistike dhe instrumentale.

Para fillimit të koncertit, publikun e përshëndeti Ismet Jonuzi, Shef i Seksionit të Arteve në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

“Koncerti i sotëm, përmes veprave të kompozitorëve shqiptarë dhe mjeshtërve të mëdhenj të muzikës klasike evropiane, sjell një ndërthurje të identitetit tonë muzikor dhe vlerave universale të artit. Ky takim i traditave dhe i shprehjeve të ndryshme muzikore na jep mundësinë të përjetojmë pasurinë e krijimtarisë artistike dhe të reflektojmë mbi rëndësinë e muzikës si pjesë të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore dhe të qytetërimit njerëzor”, tha Jonuzi, i cili më pas ftoi publikun të shijonte koncertin.

Programi nisi me muzikën e kompozitorit hungarez E. Kálmán, me veprën “Die Csárdásfürstin”, përkatësisht ariet “Heia, in den Bergen” dhe “Aria e Sylvas”. Sopranoja Lorika Ismajli i interpretoi, me shoqërimin në piano të Menan Bervinikut.

Më pas, publiku dëgjoi një interpretim të veçantë të veprës “Kur më shkon sokakut” të kompozitorit Vasil Tole, e prezantuar si premierë. Sopranoja Arta Jashari e interpretoi, e shoqëruar në piano nga Lirika Pula-Kasapolli.

Në vijim, sopranoja Zana Abazi-Ramadani interpretoi veprën “Agimet shqiptare” të kompozitorit Avni Mula, me shoqërimin pianistik të Lirika Pula-Kasapollit. Kështu programi solli një tjetër përfaqësim të krijimtarisë muzikore shqiptare.

Repertori vazhdoi me muzikën e kompozitorit gjerman Johannes Brahms, me veprën “Walzes, op. 39, nr. 3 dhe 4”, të interpretuar në piano nga Lirika Pula-Kasapolli.

Krijimtaria e kompozitorit francez Gabriel Fauré u prezantua me veprën “Sicilienne”. Violonçelisti Antonio Gashi e interpretoi, me shoqërimin në piano të Lirika Pula-Kasapollit.

Në pjesën e mëtejme të koncertit, publiku u njoh me krijimtarinë e kompozitorit Trimor Dhomi, përmes “Sonatës nr. 1, koha II”, të interpretuar në piano nga Menan Berviniku.

Koncerti u mbyll me një tjetër vepër të Trimor Dhomit, “Aria nga opera Teuta, skena e pritjes dhe lajmi për vdekjen e mbretit Agron”, e bazuar në dramën e Ajmone Dhomit. Këtë pjesë premierë e interpretoi sopranoja Besa Llugiqi, me shoqërimin në piano të Menan Bervinikut.

I pranishëm në këtë mbrëmje, kompozitori Trimor Dhomi ndau me KultPlus përshtypjet e natës, në të cilën u interpretuan dy vepra të tij, njëra prej tyre premierë.

“Ishte fat i madh që sot e patëm pianistin Menan Berviniku, i cili jeton dhe vepron në Vjenë prej vitesh. Ishte fat për mua që ai interpretoi veprën time, sonatën për piano, koha e dytë, ku vetëm me aftësinë e një profesionisti si Berviniku mora edhe unë guximin për ta realizuar. Vepra e dytë, e interpretuar nga Besa Llugiqi nën përcjelljen e Bervinikut, është për mua një ëndërr e realizuar sonte, si premierë, një arie shumë e vështirë e veprës së re që jam duke përfunduar. Kjo vepër është për mbretëreshën Teuta, e cila pritet të përfundojë në fund të këtij viti”, tha Dhomi.

Pasi interpretoi premierën e aries nga opera për mbretëreshën Teutë, soprano Besa Llugiqi foli më gjerësisht për veprën. Ajo tha se ndihet e lumtur që i është besuar ta sjellë në skenë, duke e ditur rëndësinë dhe ndjeshmërinë e saj.

“Sonte interpretova një arie premierë, vepër e kompozitorit Trimor Dhomi, i cili më ka besuar këtë vepër, për çka jam shumë e nderuar. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve maksimalisht, për të treguar të gjitha anët e mbretëreshës Teutë, sidomos pjesën që interpretova sot, një pjesë shumë e ndjeshme dhe intime. Jam shumë e lumtur që pata nderin ta këndoj dhe uroj që njerëzit ta kenë shijuar”, tha Llugiqi për KultPlus.

Po në këtë mbrëmje, u dha premierë edhe vepra “Kur më shkon sokakut” e kompozitorit Vasil Tole, e interpretuar nga Arta Jashari. Pas koncertit, Jashari foli për KultPlus dhe shprehu mirënjohjen për mundësinë që pati të prezantojë krijimtarinë e Vasil Toles.

“Jam shumë falënderuese dhe ndihem e vlerësuar që më ftuan në këtë ngjarje kaq të rëndësishme, për nivelin e prezantimeve që organizohen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Kësaj radhe e shfrytëzova këtë ngjarje për të prezantuar si premierë veprën e profesorit, akademikut Vasil Tole. Vasil Tole na ka ofruar vepra të ndryshme, na ka ndihmuar shumë edhe në Shqipëri, dhe për mua ka qenë një ndjenjë e veçantë sonte të prezantoj një vepër të tij”, theksoi Jashari./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha