Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Muzeu i ri i Londrës hapet, por kritikohet për mungesë identiteti

Muzeu i ri i Londrës hapet, por kritikohet për mungesë identiteti
Foto: kultplus.com

Pas dhjetë vjetësh punë dhe një investimi që arriti në 437 milionë paundë, Muzeu i ri i Londrës është hapur me synimin për të rrëfyer historinë dhe identitetin e një prej qyteteve më të rëndësishme në botë. Megjithatë, hapësira e re muzeale ka ngjallur edhe kritika, veçanërisht për mënyrën se si është konceptuar ekspozita dhe për mungesën e një identiteti të qartë.

Projekti, i cili fillimisht ishte parashikuar të kushtonte 337 milionë paundë, ka tejkaluar buxhetin me rreth 100 milionë paundë. Muzeu i dikurshëm i Londrës, i vendosur në London Wall nga viti 1976 deri më 2022, është zhvendosur në Farringdon, pasi ndërtesa e vjetër kishte hapësirë të kufizuar dhe ishte e vështirë për t’u gjetur nga vizitorët.

Një hapësirë e hapur për të gjithë

Hapësira e re karakterizohet nga arkitektura e ndriçuar dhe ambientet e hapura, të projektuara nga Asif Khan dhe Stanton Williams, në bashkëpunim me specialistët e konservimit të Julian Harrap Architects. Muzeu synon të jetë një institucion i hapur për të gjithë, ku vizitorët mund të hyjnë lirshëm, të pushojnë, të lexojnë apo të eksplorojnë historinë e qytetit pa ndier domosdoshmërisht se ndodhen në një muze tradicional, shkruan ARTNews, transmeton KultPlus.

Drejtoresha e institucionit, Sharon Ament, ka theksuar rëndësinë e krijimit të një hapësire që nxit ndjenjën e komunitetit. Ndërkaq, arkitekti Asif Khan ka shpjeguar se synimi ishte që muzeu të bëhej më mikpritës edhe për njerëzit që zakonisht nuk i vizitojnë institucionet kulturore. Hyrja është falas dhe objekti ka tri hyrje të veçanta.

Tri seksionet e ekspozitës

Ekspozita është organizuar në tri seksione kryesore: “Real Time”, “Our Time” dhe “Past Time”. Seksioni i parë paraqet Londrën bashkëkohore dhe përfshin, ndër të tjera, kutinë e rojës së Banksyt me veprën “Piranhas”. Në sallën Linbury Hall, “Our Time” përpiqet të ndërtojë një rrëfim të përbashkët për qytetin përmes objekteve historike, si karroca ceremoniale e kryetarit të bashkisë së Londrës, e vitit 1757, centrali telefonik i Pallatit Buckingham dhe karroca ushqimore e Syd-it, e cila funksionoi në East End nga viti 1919 deri më 2019.

Në katin e poshtëm ndodhet “Past Time”, seksioni më tradicional dhe më edukativ i muzeut. Aty përfshihen hapësira kushtuar lëvizjes për të drejtat e grave për të votuar dhe Zjarrit të Madh të Londrës. Ekspozita përmban gjithashtu objekte të ndryshme, nga një fragment i të ashtuquajturit “fatberg” të kanalizimeve të qytetit, te rrobat e zhytjes së Tom Daleyt nga Lojërat Olimpike të Londrës 2012, një karrige që i përkiste shkrimtarit Charles Dickens, një pikturë murale romake 2.000-vjeçare dhe kostumi i balerinës Anna Pavlova për veprën “The Dying Swan”.

Muzeu i ri i Londrës hapet, por kritikohet për mungesë identiteti

Kritikat dhe të ardhmen e muzeut

Pavarësisht përmasave dhe investimit të madh, muzeu është kritikuar se ende nuk ka arritur të përcaktojë se çfarë e dallon nga institucionet e tjera kulturore të Londrës. Një pjesë e ekspozitës është cilësuar si e shpërndarë dhe pa një rrëfim të unifikuar, ndërsa hapësirat e reja, me elemente dekorative si delet e mëdha plastike dhe tabelat e dyqaneve të njohura londineze, kanë nxitur pikëpyetje rreth mënyrës se si paraqitet identiteti i qytetit.

Megjithatë, projekti mbetet në zhvillim. Në vitin 2028 pritet të hapen edhe dy hapësira për ekspozita të përkohshme, të cilat mund t’i japin muzeut mundësinë të trajtojë më thellë karakterin e Londrës, përfshirë historinë e kulturave urbane dhe subkulturave që kanë shënuar qytetin, nga Teddy Boys të viteve 1950, te Mods dhe Rockers të viteve 1960 dhe Sloane Rangers të dekadave pasuese.

Deri atëherë, Muzeu i Londrës mbetet një projekt që kërkon të gjejë ekuilibrin mes një hapësire publike moderne dhe një institucioni që duhet të rrëfejë në mënyrë bindëse historinë e qytetit./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha