BEOGRAD, 27 nëntor /ATSH-AFP/ – Një profesor universiteti pa përvojë në politikë, Radomir Saiçiç është përzgjedhur si kandidat për zgjedhjet presidenciale në Serbi, njoftoi sot lëvizja studentore, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të tetorit përballë forcës politike të nacionalistit Aleksandar Vuçiç.
Zgjedhjet e parakohshme presidenciale do të mbahen më 27 dhjetor, tre muaj pas dorëheqjes së Vuçiçit nga posti i presidentit.
Ai vendosi të shkurtojë me tetë muaj mandatin e tij të dytë për të bërë fushatë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, të cilat përfunduan me humbjen e Partisë së tij Progresiste Serbe (SNS).
Radomir Saiçiç, 65 vjeç, është profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd.
Ai ka mbështetur lëvizjen studentore që prej fillimit të saj, e cila u krijua pas tragjedisë në stacionin e trenit në Novi Sad, në veri të vendit, në nëntor 2024.
Atëherë, 16 persona humbën jetën nga shembja e një strehe të rikonstruktuar së fundmi.
Në fjalimin e tij para medieve, pas njoftimit të kandidaturës nga një përfaqësuese e lëvizjes studentore, Saiçiç vlerësoi “revoltën e tyre kundër padrejtësisë” dhe “guximin” e studentëve.
“Pas shumë përpjekjesh, sakrificash dhe presionesh, kjo solidaritet solli një fitore historike. Tani kemi mundësinë ta shndërrojmë lirinë për të cilën luftuam në një ndryshim të qëndrueshëm”, deklaroi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.
Burimi: ata.gov.al










