Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Gjykata: Pengimi i deputetëve të opozitës në Kuvend ishte i paligjshëm

Gjykata: Pengimi i deputetëve të opozitës në Kuvend ishte i paligjshëm
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi sot se “ndalimi arbitrar dhe me forcë i deputetëve të opozitës për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit u konstatua sot nga gjykata si i paligjshëm”.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi theksoi se “ky vendim konfirmon se pengimi i përfaqësuesve të zgjedhur për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë e tyre kushtetuese nuk është thjesht një akt arbitrar, por një shkelje që cenon drejtpërdrejt demokracinë dhe shtetin e së drejtës”.

Ai tha se praktika të tilla antidemokratike janë të papranueshme për një vend që synon integrimin europian.

Kritika ndaj kryeministrit

Bardhi nënvizoi se kryeministri Edi Rama synon një Kuvend pa opozitë dhe një pushtet pa zë kritik, ndërsa theksoi se institucionet parlamentare nuk mund të jenë pronë e askujt.

Thirrje për përgjegjësi

“Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, tre firmëtarët e vendimit për pengimin e paligjshëm të deputetëve të opozitës, duhet ta kuptojnë se firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë”, tha ai.

Bardhi shtoi se opozita nuk do të intimidohet dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta për të përfaqësuar qytetarët.

“Kuvendi i Shqipërisë nuk është pronë e Edi Ramës dhe demokracia shqiptare nuk mund të vihet në shërbim të pushtetit të tij”, tha Bardhi.

/m.q/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha