Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Blondie e solli disko-n në skenën punk me Heart of Glass

Blondie e solli disko-n në skenën punk me Heart of Glass
Foto: kultplus.com

Grupi amerikan Blondie nuk kishte frikë të sfidonte normat e skenës punk të Nju-Jorkut, madje edhe kur kjo nënkuptonte të shkaktonte pakënaqësi te bashkëkohësit e tyre. Një prej shembujve më të njohur mbetet kënga “Heart of Glass”, e cila ndërthurte energjinë me ritmet e disko muzikës, në një kohë kur kjo e fundit shihej me armiqësi nga shumë përfaqësues të punk-ut.

Skena e CBGB-së

Në mesin e viteve ’70, klubi legjendar CBGB ishte një nga qendrat kryesore të skenës alternative të Nju-Jorkut. Aty u zhvilluan grupe si Talking Heads, Television, The Ramones dhe Blondie, të cilat, megjithëse përfshiheshin në të njëjtën lëvizje muzikore, kishin identitete të ndryshme artistike.

Blondie, me Debbie Harryn në krye, dallonte jo vetëm për faktin se ishte një nga grupet e pakta me një këngëtare në qendër të vëmendjes, por edhe për gatishmërinë për të eksperimentuar përtej kufijve të punk-ut.

Disko si formë rebelimi

Në atë periudhë, disko muzika konsiderohej pothuajse e papranueshme nga një pjesë e skenës punk. Megjithatë, Debbie Harry e shihte ndryshe këtë rrymë muzikore, duke gjetur te ritmet e saj të vallëzimit të njëjtën frymë rebelimi dhe bashkimi që karakterizonte edhe punk-un.

Kështu lindi “Heart of Glass”, një prej këngëve më të njohura të grupit, e cila fillimisht nuk u prit me entuziazëm nga të gjithë bashkëpunëtorët dhe rrethi muzikor i Blondie.

“Kur realizuam ‘Heart of Glass’, në rrethin tonë shoqëror nuk ishte aspak në modë të luaje disko. Por ne e bëmë sepse donim të mos ishim në modë”, kishte kujtuar Debbie Harry në librin “1000 UK #1 Hits”, botuar më 2005.

Ajo kishte treguar gjithashtu se kënga ishte ndërtuar rreth një makinerie ritmike Roland, ndërsa regjistrimi i pjesës instrumentale kishte zgjatur më shumë se dhjetë orë.

Suksesi i “Parallel Lines”

E përfshirë në albumin “Parallel Lines”, “Heart of Glass” fillimisht u konsiderua nga kitaristi Chris Stein si një eksperiment që mund të mbetej thjesht një kuriozitet muzikor. Por rezultati dëshmoi të kundërtën.

E publikuar si singël në dhjetor të vitit 1978, kënga arriti në vendin e parë në listat muzikore të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke e shndërruar Blondie-n në një nga emrat më të rëndësishëm të epokës new wave.

Ndonëse eksperimentimi me tingujt e disko-s u pa nga disa përfaqësues të skenës punk si largim nga parimet e saj, “Heart of Glass” i dha grupit një identitet edhe më të gjerë muzikor dhe mbetet një prej hiteve më të qëndrueshme të asaj periudhe. Kënga dëshmoi se rebelimi në muzikë nuk nënkuptonte domosdoshmërisht respektimin e kufijve të një zhanri, por edhe guximin për t’i thyer ata./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha