Ministria e Sportit dhe Rinisë, në bashkëorganizim me BONEVET Prishtina, do të organizojë më 15 dhjetor konferencën rinore “What’s next for YOUth?”, e cila synon të hapë hapësirë për diskutim mbi mundësitë, sfidat dhe perspektivat e të rinjve në Kosovë.
Konferenca organizohet në kuadër të projektit Karta Rinore Evropiane – Kosova, në bashkëpunim me Regional Youth Cooperation Office (RYCO) dhe United Youth Task Force (UYTF).
Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë të rinj, përfaqësues të institucioneve, organizatave dhe sektorit privat, të cilët do të diskutojnë katër tema kryesore: punësimin dhe zhvillimin e karrierës, mobilitetin rinor, dialogun me Bashkimin Evropian, si dhe rolin e rinisë në paqe dhe siguri, transmeton KultPlus.
Mundësi punësimi dhe lidhje me punëdhënësit
Përmes këtij takimi, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen me mundësi të reja për punësim dhe zhvillim profesional, të krijojnë kontakte me punëdhënës dhe të diskutojnë për iniciativa që synojnë fuqizimin e të rinjve.
Konferenca do të mbahet më 15 dhjetor 2026, në TechPark Prishtina, në Bërnicë, ndërsa regjistrimi për pjesëmarrje është i hapur përmes formularit online: Apliko këtu.
Organizatorët kanë ftuar të rinjtë që të bëhen pjesë e diskutimeve, të ndajnë idetë e tyre dhe të kontribuojnë në përcaktimin e prioriteteve për të ardhmen e rinisë në Kosovë./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










