Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka prezantuar të dhënat kryesore të projektbuxhetit të ministrisë për vitin 2027. Buxheti i përgjithshëm do të jetë 7.65 miliardë lekë, me një rritje prej 3.5 për qind krahasuar me vitin 2026.
Sipas të dhënave të publikuara nga Gonxhja, kultura është ndër sektorët me rritjen më të madhe të financimit. Për të janë paraparë 5.45 miliardë lekë në vitin 2027, krahasuar me 1.42 miliardë lekë në vitin 2013.
Trashëgimia kulturore dhe muzetë
Në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, projektbuxheti parashikon 2.08 miliardë lekë, me një rritje prej 80 për qind krahasuar me vitin paraprak. Ndër ndërhyrjet e planifikuara janë investimet në dhjetë objekte prioritare të Rrjetit Kombëtar të Muzeve, shpëtimi i 30 banesave monument kulture dhe rijetëzimi i kullave tradicionale në katër qarqe të veriut.
Për artin dhe kulturën janë paraparë 3.37 miliardë lekë, përfshirë 1.5 miliardë lekë investime publike. Financimi për projektet artistike të institucioneve dhe skenës së pavarur pritet të arrijë 495.9 milionë lekë, me një rritje prej 21.7 për qind.
Projektbuxheti përfshin edhe investime në infrastrukturën kulturore, ku përmenden zgjerimi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i ri Kombëtar, si dhe rijetëzimi i shtatë kinemave publike.
Turizmi, digjitalizimi dhe rinia
Në aspektin e turizmit dhe digjitalizimit, Gonxhja ka përmendur zhvillimin e platformës eVisitor dhe biletarisë elektronike. Sipas tij, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë organizuar 2,107 ngjarje, 23.4 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Vëmendje i është kushtuar edhe rinisë, përmes programeve si RinCamp 2027, EU4Youth, Garancia Rinore, EMPOWERHER dhe VOICE 2 YOUTH ALBANIA. Këto programe synojnë aftësimin profesional, punësimin, zhvillimin e aftësive digjitale dhe sipërmarrjen.
Sa i përket sportit, ministri ka bërë të ditur se financimi për këtë sektor do të rritet me 73 për qind krahasuar me vitin 2026.
Gonxhja ka përmendur gjithashtu nëntë reforma ligjore që synojnë modernizimin e sektorëve nën përgjegjësinë e ministrisë.
Të dhënat janë publikuar nga vetë ministri përmes një albumi infografik, ku paraqiten ndarjet buxhetore dhe prioritetet e planifikuara për vitin 2027./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










