Qendra e Kulturës në Tetovë ka prezantuar programin “Nëntori në Festë 2026”, i cili përfshin një seri aktivitetesh kulturore dhe artistike që do të zhvillohen nga 17 deri më 28 nëntor.
Aktivitetet kryesore të programit
Programi sjell ekspozita personale dhe kolektive, koncerte muzikore, aktivitete folklorike dhe shfaqje teatrale, duke kulmuar me aktivitetin e organizuar më 28 nëntor, në kuadër të shënimit të kësaj date.
Ndër aktivitetet e parapara janë ekspozita personale “Rrënjë të padukshme”, koncerti “Rok përrallë në vjeshtë”, koncerti folklorik me fëmijë, koncerti vjetor i Qendrës së Kulturës “Festojmë Nëntorin”, si dhe paraqitjet e ansambleve dhe grupeve artistike.
Ekspozita, koncerte dhe shfaqje teatrale
Programi përfshin gjithashtu ekspozita në hapësirat kulturore dhe shkollore të Tetovës, koncertin e Ansamblit Shtetëror dhe një shfaqje teatrale nga Teatri i Tetovës.
Përmbyllja e aktiviteteve
Aktivitetet do të përmbyllen më 28 nëntor, me programin “Festojmë 28 Nëntorin”, që do të mbahet në INQ “Ilo Anteski Smok” në Tetovë.
Përmes këtij programi, Tetova do ta shënojë muajin nëntor përmes një kalendari aktivitetesh që ndërthur muzikën, artin pamor, folklorin dhe teatrin./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










