Një akademi e re gati të lindë në Shqipëri, dhe projekti tashmë po merr jetë! Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur një projekt të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit për moshat e reja në vend.
Një akademi zyrtare e Inter-it në Tiranë
Bëhet fjalë për krijimin e akademisë zyrtare të klubit italian Inter në Shqipëri. Hapi i parë drejt realizimit të kësaj nisme është hedhur me nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Inter Club Albania.
Sipas marrëveshjes, Ministria do të ofrojë mbështetje institucionale, ndërsa FSHF-ja do të vërë në dispozicion infrastrukturën e nevojshme sportive për nisjen e projektit në Tiranë.
Metodologjia e Inter-it dhe trajnimi i trajnerëve
Akademia synon të sjellë në Shqipëri metodologjinë dhe standardet e formimit sportiv të klubit zikaltër, përmes përfshirjes së stafit teknik të Inter-it dhe trajnimit të trajnerëve shqiptarë.
Projekti parashikon krijimin e mundësive për qindra fëmijë dhe të rinj, jo vetëm nga kryeqyteti, por edhe nga vende të tjera të rajonit.
Bursa, talente të reja dhe vajzat në futboll
Në projekt janë përfshirë gjithashtu programe bursash, mbështetje për talentet e reja dhe nxitja e pjesëmarrjes së vajzave në futboll.
Burimi: telesport.al










