Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Suksesi dhe rëniet e Chiara Ferragnit

Suksesi dhe rëniet e Chiara Ferragnit
Foto: bordo.al

Në vitin 2009, në moshën 22-vjeçare, ndërsa studionte për drejtësi në Universitetin Bocconi, krijoi “The Blonde Salad”, blogun që më pas u shndërrua në një platformë ndërkombëtare mode, stili jetese dhe tregtie elektronike.

Brand-i Chiara

Në vitin 2013 krijoi markën e saj, Chiara Ferragni Brand, me syrin e kaltër si simbol identifikues. Vetëm katër vite më pas, në vitin 2017, marka tregtohej në mbi 350 dyqane në botë.

Në vitin 2015, modeli i saj i biznesit u bë objekt studimi në Harvard, si shembull i transformimit të famës digjitale në sipërmarrje ekonomike.

Suksesi dhe rëniet e Chiara Ferragnit

Kopertina e parë e Vogue

Në vitin 2015 u bë blogerja e parë në kopertinën e “Vogue”. Po atë vit u përfshi në listën e sipërmarrësve të rinj më të spikatur të “Forbes – 30 Under 30”.

Në vitin 2016, kompania Mattel krijoi një Barbie me imazhin e saj. Ndërsa në vitin 2017, revista “Forbes” e renditi si influencuesen më të fuqishme në botën e modës.

Ndër vite ka bashkëpunuar me Dior, Chanel, Louis Vuitton, Gucci, Prada, Tod’s dhe Lancôme.

Suksesi dhe rëniet e Chiara Ferragnit

Seriali “The Ferragnez”

Në vitin 2019, dokumentari “Chiara Ferragni: Unposted”, kushtuar jetës dhe karrierës së saj, u prezantua në edicionin e 76-të të Festivalit të Filmit në Venecia.

Seriali “The Ferragnez”, në vitin 2021, ku rrëfehej jeta e saj familjare dhe profesionale, u kthye në një sensacion në Amazon Prime Video.

Suksesi dhe rëniet e Chiara Ferragnit

“Sanremo”

Dhe kulmi: në vitin 2023, Chiara Ferragni u zgjodh bashkëprezantuese në Festivalin e Sanremos. Një audiencë globale. Në kulmin e popullaritetit të saj, arriti të kishte afro 30 milionë ndjekës vetëm në Instagram.

Pas këtij momenti kulmor të karrierës së saj, filloi rënia. Një top dëbore, që nisi me skenën e puthjes së Fedez me Rosa Chemical në Sanremo, u kthye në një ortek, me çështjen “Pandoro Gate”, divorcin, jetën e trazuar sentimentale, njohjet dhe lidhjet e dështuara.

Suksesi dhe rëniet e Chiara Ferragnit

Orteku që goditi besueshmërinë e Chiara Ferragnit

Dhjetor 2023. “Pandoro Gate”. Momenti kur perandoria e Chiara Ferragnit, e ndërtuar për më shumë se një dekadë mbi imazhin personal, besimin e publikut dhe bashkëpunimet me markat e mëdha, filloi të tronditej.

“Pandoro Gate”

Një vit më parë, në vitin 2022, Chiara bashkëpunoi me kompaninë italiane Balocco për të hedhur në treg një ëmbëlsirë të Krishtlindjeve, të promovuar në lidhje me një nismë bamirësie për fëmijët e sëmurë me kancer.

Hetimet e Antitrustit italian zbuluan se pandoroja e firmosur nga Chiara kushtonte mbi 9 euro, kundrejt 3,70 eurove të produktit të zakonshëm. Balocco kishte dhuruar 50 mijë euro për spitalin, përpara fillimit të fushatës, ndërkohë që kompanitë e Ferragnit kishin përfituar mbi 1 milion euro nga bashkëpunimi, pa kontribuar në atë donacion. Shitjet e produktit nuk ndikonin në shumën e dhuruar.

Më 15 dhjetor 2023, kompanitë e Ferragnit u gjobitën me 1 milion e 75 mijë euro, ndërsa Balocco me 420 mijë euro.

Suksesi dhe rëniet e Chiara Ferragnit

Videoja e famshme me tutat gri

Më 18 dhjetor 2023, Chiara publikoi një video ku shfaqej me veshje gri, me një pamje të thjeshtë, dhe kërkonte falje publikisht. Ajo e cilësoi ngjarjen si një gabim komunikimi dhe njoftoi se do të dhuronte 1 milion euro për spitalin e Torinos.

Por kjo video u kthye në simbol të krizës së saj të imazhit.

Humbja e kontratave publicitare

Disa kompani nisën të distancoheshin prej saj. Safilo ndërpreu bashkëpunimin për linjën e syzeve, ndërsa Coca-Cola hoqi dorë nga një fushatë publicitare e planifikuar me të.

Për herë të parë, emri Chiara Ferragni përfaqësonte një rrezik reputacional për markat.

Ndarja nga Fedez

Në shkurt të vitit 2024 u bë publike kriza e martesës me Fedez. Ndarja goditi edhe imazhin e familjes ideale që çifti kishte ndërtuar ndër vite në rrjetet sociale dhe në serialin “The Ferragnez”.

Kështu, krizës profesionale iu shtua edhe ajo personale.

Kriza e besimit

Në rastin e Chiarës, problemi më i madh nuk ishte gjoba financiare, por humbja e besueshmërisë. Ajo kishte ndërtuar një model biznesi ku jeta private, familja, emocionet, moda dhe reklama ishin bërë pothuajse të pandashme.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha