Kryeministri Edi Rama e cilëson vitin 2027 si vendimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në konferencën me komisioneren europiane, Rama theksoi se qeveria nuk kërkon asnjë dhuratë apo lehtësi në procesin e integrimit, por angazhohet të përmbushë të gjitha detyrimet, duke i cilësuar ato si një përgjegjësi ndaj së ardhmes së vendit dhe brezave të rinj.
Qëndrimi i qeverisë për detyrimet e integrimit
“Diskutimi shkoi përtej planit të rritjes në funksion të një modeli ekonomik. Sa më shumë të integrojmë Ballkanin Perëndimor, aq më shumë do të ndihmojmë ekonomitë tona. Deficitet e integrimit rajonal janë ende të mëdha. Turizmi, ku ende ka vështirësi për lëvizjen e lirë të grupeve të turistëve që duan të vizitojnë në të njëjtën kohë më shumë se një vend të rajonit. Si përfundim, ne kemi një qartësi të plotë mbi 2027-ën. Komisionerja thotë që 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin, për ne nuk diskutohet po ashtu.
Nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë, duke plotësuar detyrat që kemi, jo se i kërkon zysha që kam në krah, por se i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë. Na imponon t’i bëjmë pikë për pikë këto detyra. Çdo detyrë në funksion të anëtarësimit në BE është në funksion të integrimit të Shqipërisë, të konsolidimit të institucioneve. Mangësitë e institucioneve janë ato që na dallojnë akoma nga vendet që duam t’u ngjajmë sa më shumë.
Nuk kërkojmë asnjë dhuratë, asnjë bypass, asnjë mbyllje të syve. Kërkojmë të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë në maksimum ato.
Duke qenë se është detyra e fundit për këtë vit, të falënderoj për gjithçka ke bërë për ne, për Shqipërinë, për rajonin. Uroj viti i ri të jetë më i miri i të gjitha viteve, në funksion të misionit historik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që është anëtarësimi në BE” u shpreh Rama.
abcnews.al
Burimi: abcnews.al










