‘Të bashkuar për Shqipërinë’ është forca politike e njoftuar dje nga një grup të rinjsh, të cilët synojnë të mbledhin rreth vetes studentë dhe intelektualë që kërkojnë ndryshimin e realitetit politik në Shqipëri.
Nismëtarët e partisë së re
David Hoxha, Anjeza Marku, Lulëzime Faria dhe Aleksandër Moja deklaruan se janë njohur në shesh dhe se iniciativa e tyre ka lindur nga angazhimi i tyre në protestë. Ata synojnë që ajo të shndërrohet në një alternativë të re politike, të ndërtuar së bashku me qytetarët brenda dhe jashtë vendit.
Sipas ligjit për partitë politike në Shqipëri, përveç grupit nismëtar, nevojiten edhe firmat e 3 mijë personave për të bërë të mundur regjistrimin e partisë.
Reagimet nga sheshi
Gjatë një intervistë televizive, të rinjtë shprehën se rreth tyre do të mblidhen edhe personalitete dhe intelektualë që kërkojnë ndryshimin e realitetit politik në Shqipëri.
Nisja e kësaj lëvizjeje të re politike nuk u prit mirë nga një sërë aktivistësh të tjerë, që kanë qenë pjesë e protestave të përditshme, që nga revolucioni i flamingove deri te revolta studentore e javëve të fundit. Një pjesë e tyre pretendojnë se njoftimi i partisë së re, vetëm dy ditë përpara protestës mbarëkombëtare të shtunën, synon të zbehë revoltën. Të tjerë shprehen se kishte ardhur koha për një lëvizje politike nga njerëz të lidhur më së pari me sheshin.
Kritikat më të mëdha u drejtuan kryesisht ndaj Lulëzime Farias, që lexoi deklaratën mbrëmjen e djeshme. Të vjetra video të saj, nga koha kur fitonte Mis Miqësia dhe synonte pasarelat e modës, janë rikthyer në rrjet.
Energjia rinore dhe partitë
Pavarësisht rezervave që mund të ketë shumëkush, si ndaj personave nismëtarë ashtu edhe ndaj kohës së nisjes së iniciativës, nga vetë sheshi është thënë shpesh se energjia rinore duhet kanalizuar edhe në aksione politike, dhe partitë janë një nga format e tyre. /SHEKULLI
Burimi: lajmifundit.al










