Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Kush e zgjodhi Ismail Qemalin për të shpallur Pavarësinë?

Kush e zgjodhi Ismail Qemalin për të shpallur Pavarësinë?
Foto: lajmifundit.al

Historiani Dritan Egro, në një intervistë për Euronews Albania me gazetaren Esmeralda Mulaj, ka shpjeguar pse Ismail Qemali u vendos në krye të lëvizjes që çoi në krijimin e shtetit shqiptar.

Prejardhja dhe njohjet e Ismail Qemalit

Sipas Egros, Ismail Qemali vinte nga një familje me rrënjë të thella dhe ishte një diplomat i klasit botëror. Ai njihej gjerësisht si në Shqipëri ashtu edhe në qendër të Perandorisë Osmane, ku kishte mbajtur poste të larta administrative dhe kishte shërbyer si këshilltar për politikën e jashtme të Sulltan Abdylhamitit. Autoriteti i tij u dëshmua edhe në vitin 1907, kur autoritetet greke e pritën në Athinë me atributet e një kryetari shteti, megjithëse Shqipëria nuk ekzistonte ende politikisht.

Përvoja në administratën osmane

Egro theksoi se Ismail Qemali kishte një klasë të lartë në administrimin e territoreve të ndryshme të Perandorisë. Ai kishte punuar me nipin e Ali Pashë Tepelenës, i vetmi që shpëtoi i gjallë, dhe me Midhat Pashën, reformatorin e madh të Perandorisë në gjysmën e dytë të shekullit të XIX. Ai kishte fituar autoritet me qetësinë, mençurinë dhe veprimin e tij politik, dhe njihej si një figurë e padiskutueshme.

Strategjia e shqiptarëve nën Perandorinë Osmane

Sipas historianit, qëllimi final ishte shteti i pavarur, por kushtet në të cilat ndodheshin shqiptarët kërkonin një lëvizje të kujdesshme. Shqiptarët punuan për reformimin e Perandorisë nga brenda, për të krijuar hapësirë për emancipimin kulturor dhe politik. Njëkohësisht, ata përgatiten për momentin kur Perandoria do të binte, për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

Shpallja e pavarësisë

Egro përmendi edhe kujtimet e mjekut të Sulltan Abdylhamitit, sipas të cilave, kur u bë publike shpallja e pavarësisë më 29 nëntor në mediat botërore, reagimi ishte: “Shiko ku e paska pasur hallin ky njeri dhe ne nuk e paskemi kuptuar”. Sipas Egros, Ismail Qemali ishte i vetmi që mund të nuhasë momentin delikat, kur po shpërthenin luftërat ballkanike që kërcënonin ekzistencën përfundimtare të një shteti shqiptar, dhe që e çoi vendin drejt pavarësisë.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha