Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka takuar Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër.
Gjatë takimit, Shiroka Pula ka nënvizuar lidhjet e veçanta mes Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat, sipas saj, janë të themeluara në histori, gjuhë, kulturë dhe ndjenjën e përbashkët të përkatësisë.
“Dy shtetet janë një zemër, një mendje dhe një komb, të bashkuara nga e njëjta frymë në të dy anët e kufirit”, ka theksuar Presidentja, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës.

Ajo ka theksuar se forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është përgjegjësi e përbashkët dhe se afërsia duhet të shndërrohet në bashkëpunim konkret për ndërtimin e së ardhmes, transmeton KultPlus.
Në takim është diskutuar edhe orientimi strategjik i të dyja vendeve, me theks të veçantë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian, që Shiroka Pula i ka cilësuar si prioritete kryesore të vendit.
Në këtë kuadër, ajo ka vlerësuar përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit më të ngushtë dhe shkëmbimit të përvojave.
Presidentja Shiroka Pula ka kujtuar gjithashtu se Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve bashkëpunimi, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë tashmë në zbatim. Ajo ka shprehur angazhimin që marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve të vazhdojnë të konkretizohen përmes bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










