Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Bashkimi Europian po ofron një qasje të re integrimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u mundësuar atyre më shumë përfitime dhe akses në tregun europian përpara anëtarësimit të plotë.
Akses më i madh në tregun europian
Gjatë takimit për Planin e Rritjes, Kos theksoi se BE synon të hapë më shumë sektorë të tregut për vendet e rajonit, përfshirë energjinë dhe transportin, si dhe të zgjerojë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e tyre në institucionet europiane në fushat ku kanë shënuar progres.
Ajo vuri në dukje rëndësinë strategjike të korridoreve tregtare që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor, duke i cilësuar ato pjesë të një rrjeti më të gjerë lidhjesh mes Bashkimit Europian, rajonit, Turqisë dhe Azisë Qendrore.
Mundësi nga lidhjet e reja
“Që nga hera e fundit KE ka prezantuar një qasje të re integrimi. Do të ketë më shumë Evropë përpara anëtarësimit. Do të hapim më shumë pjesë të tregut, si energjinë dhe transportin, do të zgjerojmë bashkëpunimin dhe do të ofrojmë pjesëmarrje në institucionet e BE-së në ato fusha ku po ecni përpara.
Të diskutojmë se si Ballkani Perëndimor mund të përfitojë nga këto lidhje të reja. Shumë korridore tregtare kalojnë nga Ballkani Perëndimor. Ne i shohim ato si pjesë të rrjetit më të madh për lidhje mes BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, duke vazhduar drejt Azisë Qendrore, dhe kjo është një nga përparësitë e BE-së. Synojmë t’i përfshijmë këto lidhje më gjerësisht në axhendën tonë. Kjo do të thotë mundësi për Ballkanin Perëndimor.”
Interesi i investitorëve
“Dje ishim bashkë në konferencën e investimeve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Pamë shumë interes nga investitorët europianë për mundësitë që ofron rajoni, dhe ata mund të ofrojnë qasje më të madhe në tregun unik, që do të thotë më shumë fonde nga BE. Ne e dimë nga përvoja që sa më afër BE-së të jesh, aq më shumë interes ka për investime. Le ta shfrytëzojmë këtë vit të fundit të Planit të Rritjes për ta përshpejtuar këtë proces dhe për të treguar rezultate të reformave”, u shpreh Kos.
Burimi: abcnews.al









