Policia e Lezhës ka përfunduar operacionin e koduar “Storm”, në kuadër të të cilit janë arrestuar dy shtetas të dyshuar për transportimin e lëndëve narkotike me qëllim shitjen.
Në pranga kanë rënë Hermes Mihana, 25 vjeç, banues në Malbardhë të Kurbinit, dhe Hidajet Karaj, 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Ndalimi në rrugën e fshatit Selitë
Arrestimi i tyre u bë në rrugën e fshatit Selitë, ku shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin tip “Mitsubishi”, me të cilin udhëtonin dy shtetasit. Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën katër thasë me 40.3 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Hetimet paraprake dhe akuzat
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se lënda narkotike ishte siguruar në fshatin Mafsheq, në Malësinë e Krujës, dhe po transportohej drejt qytetit të Laçit me qëllim shitjen.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 40.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike, një peshore manuale, automjeti tip “Mitsubishi” dhe një celular.
Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.
Burimi: abcnews.al










