Nga Muhamet Tartari
Mjeshtër i Madh
Ka 114 vjet nga dita kur Plaku i Bardhë i Vlorës kreu aktin që përcaktoi themelin e Shqipërisë moderne. Krahas vendit të padiskutueshëm që ai zë në panteonin e kombit tonë, populli e ka përjetësuar atë në këngë e në valle, që përcillen gojë më gojë brez pas brezi. Këngë që këndohen në çdo sofër labe. Në këtë përvjetor, dëshiroj të ndaj me lexuesit dhe të lë të shkruara ato që Labëria ka thënë dhe vazhdon t’i këndojë për Ismail Qemalin. Është detyrë e të gjithëve ne, veçanërisht brezit tim, të lëmë të shkruara ato copëza të shpirtit kulturor të traditës së vendit tonë, për mbesat dhe nipërit tanë.
Kjo detyrë më bie mua si një ndër të fundit të një brezi, poetë e rapsodë të Labërisë, që për mbi 6-7 dekada punuan me mish e shpirt për kulturën kombëtare, të përmbledh modestisht pak vargje që ata shkruan për Atin e kombit.
“Cili je ti more Burrë”
Kënga e Vranishtit
Në kujtesën kombëtare, kjo këngë dhe valle e Grupit të Burrave të Vranishtit u shfaq në mënyrë spontane e njerëzore në atë ditë të largët të Nëntorit 1912! Vargjet e këngëtarit të Vranishtit Tare Selmani u përcollën brez pas brezi e djalë pas djali. Filmi “Nëntori i Dytë” i Viktor Gjikës (1982) e la të përjetësuar këtë valle në film.
Cili je ti more Burrë
Për liri e për flamurë,
Ngjeshur armët trimëria!
Cili je ti morë Burrë,
Që na vjen nga Shqipëria?
Unë jam Smail Qemali,
Prapa më vjen historia,
Unë jam Smail Qemali!
Dua vatanet e mia,
Do t’i marr se s’është punë,
Është e jona Shqipëria!
Ismail Qemali ka qenë burrështetasi frymëzues për të gjithë rapsodët dhe poetët e Labërisë. Në punën time 50 vjeçare për këngën dhe vallen labe, respekti dhe nderimi për të ka qenë një busull orientimi në krijimtarinë letrare dhe artistike. Në vitin 1987, Grupi i Vranishtit e vazhdoi traditën, në Sheshin e Flamurit ku këndoi këtë këngë, me vargjet e mia:
Shqipëri nuk shteron kurrë,
Nënë e trimave të pallës,
Që u shkrinë për flamurë,
Si të penës dhe të fjalës…
Plaku’shquar mjekërbardhë,
More Ismail Qemali!
Patrioti mendjelartë,
Që i doli zot vatanit.
Sa e deshte këtë tokë,
As natën nuk bëri gjumë,
Shtet më shtet nëpër Europë,
Shqipërisë t’i jepte vulë!
Nuk deshi postet e turqe,
Nuk pranoi rehatinë,
Nuk luftoi për kolltuqe,
Luftoi për Shqipërinë…
Do të bëhet Shqipëria,
E mosvarme -indepentent,
Do apo nuk do Turqia,
Këtë e vendosin djemtë!
Thirrja e Smailit
Vranishti ka një lidhje të veçantë me Ismail Qemalin. Ende sot kremtohet vizita e tij në fshat në vitin 1908, në përpjekje për të organizuar qëndresën kundër osmanëve. Këngëtari i Vranishtit Çelo Jonuzi do e përjetësonte me një këngë thirrjen e Smailit të madh:
Smail Qemali me halle,
Vajte më të shtatë Krale,
Po s’të bënë kabull fare!
“Burrat të dalën në male,
Turkun ta zhdukëm fare…”
Një tjetër poet i Vranishtit, Mësuesi i Popullit Xhemil Duka, do shkruante vite më pas një elegji për Ismail Qemalin, në një përvjetor të pavarësisë, kur eshtrat e Atit të Kombit ishin ende në Kaninë. Kjo më pas u kthye në një ndër këngët elegji duke u kënduar nga Grupi i Lapardhasë, me marrës bilbilin Nazif Çela.
Do filloj duke menduar,
me zëmër të përveluar,
sot që erdh’ dit’e bekuar,
do marr penën për të shkruar.
Do marr penën për të shkruar,
më dridhen të zezat duar!
Te këqijat që mu qepnë
për patriot Smail Benë.
Për Smail Be-Bukurinë,
që është shtrirë në Kaninë!
Kombin tënë e kanë nxirë,
Shqipërisë i hodh’n mavrinë.
Këto fjalë kur i thonë,
se kanë me vete zonë,
mal’i madh baba Tomorrë
që ta merr frengu në dorë!
Mali madh qe lëshon dritë,
ku kanë fronin perënditë,
dha kushtrimin për tu ngritë,
mblodhi të gjithë parësitë.
Mblidhi- mblidhi parësi,
Pas ju vjen dhe populli,
ta marrëm vdekjen në sy
siç bëri Abas Ali.
Abas Aliu zu Tomorrë,
Shqipëria s’mbetet e gjorë
U mbush vendi me shenjtorë,
Nga Vardari gjer në Vlorë.
Vjershëtori Xhemil Duka shkroi dhe predikoi shumë lidhur me punën atdhetare të Ismail Qemalit. Një tjetër këngë e tij, e kënduar vite më vonë nga Arap Celoleskaj dhe grupi i Vranishtit:
O Qemal kur të përzunë,
Kur desh të të zij Turqia,
Dhe një çikë prat ë zunë,
Erdh e të mori gjemia…
Brënda në Paris të shpunë,
Atje ku ish katimia.
Seç u ngrit krali në gjunjë,
Mbretëresha dhe e bia.
Poezia e Ali Asllanit
Ne, poetët dhe rapsodët e Labërisë, të gjithë kemi marrë diçka nga poeti ynë i shquar nga Vajza e Vlorës, Ali Asllani. Ai ishte ndër të parët poetë që në vitet 1920-30 shkroi për Plakun e bardhë. Aliu do shkruante kështu:
ISMAIL QEMALI
Mbyllur det’ edhe stere
Kush do pyes? … edhe përse?
E kush pyet për Shqipërinë,
Rreth me male një shkretinë
E pa zë dhe e pa zotë
Vetëm vlente për një botë
Që të bënej ndonjë ditë,
Një thërrime një kafshitë
Për atë e për këtë,
Vleft’e saja hë për hë,
Dele dajos…
Kur nji ditë,
Vjen e çfaqet një Profitë;
Ish njI plak i bardhë borë,
Nji bajrak me zok në dorë;
Çan tokë e çan detë
Si i çan rrufeja retë;
Edhe zbriti mu atje
Ku i than nga se për se
Po atje në atë vëndë,
Dy të prishurit na mëndë,
Jo që nuk i than “miserdhe”
Po i than dhe “shko nga erdhe!”
Plaku gjorë e plaku mjerë,
Ku do vejë e ku do bjerë,
Nëpër erë e nëpër shira
Nëpër gropa me shëllira?
Iku ditë e iku natë
I mungon dhe buk’ e thatë;
Edhe buka i mungonte,
Vëtan zêmra i valonte.
Si ish baltë, këmba kridhej,
Si ish plakë, trupi dridhej,
Andej ruhej nga armiku,
Këtej ruhej nga i ligu.
Mirpo plaku bëri krahë;
Kaloj male, kaloj brigje,
Kaloj pellgje të pa vahë,
Kaloj pyje të pa shtigje
Syr’ i tija një yll shihte
Dita yllin po e fshihte.
Plaku iku, iku, iku
Pas ca dite një mëngjes,
Kur dëgjon një zë kikiku,
Një qytet i gjithë u ndes.
Ish një vend, një vend i lirë
Që në gjuhën më të mirë
Që në gjuhën e Asllanit,
I thon vëndi i jataganit;
I thon Vlon’ e i thon Vlorë
Ku Shqiponja dy krenorë,
Gjeti gjithë ata që deshi,
Djem baroti, djem arbreshi,
Me besë burri armatosur,
Trimëri që s’ka të sosur,
E kush ishte ai plakë?
E kush ishte ajo flakë?
Si një yll që është këputur
Në një arqe brenda futur,
Na harriti… Kuje sotë
Nuk na erdhi si e deshëm,
Po në dhe se fusëm dotë
Pra në zêmra do t’a ngjeshim.
Dhe aty do rroj sa malet
Shpirti tija nuk do falet
Nuk do falet po si Dielli,
Ku bashkohen det e qielli,
Atje shuhet ashtu duhet,
Qarko botës zë e muhet;
Mirpo dielli dhe atëherë,
Shkrep dhe shtie mbi të tjerë;
Dielli mbet gjithnjë Diell,
Kurdoherë me kokë në qiellë,
Edhe Plaku këtë ditë,
Si njeri mbaroi jetë
Mir po Plaku i vërtetë
Ish Profit dhe mbet Profit;
Dhe qëndron ashtu si ishë;
Do mbaj emrin si e kishë;
Emr’i tija i vërtetë;
Esht Nëntor njëzet’ e tetë.
Kënga e Lapardhasë dhe Feti Brahimi
Poeti i Lapardhasë, Feti Brahimi, la pas këto vargje të mrekullueshme, që u kënduan nga Grupi i Lapardhasë:
Ku e shkove djalërinë
Smail Qemali me derte
Në Stamboll e në Janinë,
Diplomat në parlamente.
Me pashallarë e vezirë,
Ata ty të thoshin lepe,
Ti e le perandorinë,
Me gjithë ato salltanete.
Se doj më shumë Shqipërinë
Që ish plagosur për vdekje!
O mor ti Profiti ynë,
Shqipërisë varis i mbete!
Plaku me mjekër të bardhë
Poeti i Tragjasit Hamdi Pulo ka përjetësuar vizitën e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe në Londër, ku anglezët menduan se i çarmatosën shqiptarët në hyrje. Isa Boletini, ky burrë i madh i Kosovës dhe komandant legjendar i shqiptarëve, ka gjithashtu një vend të veçantë në këngën labe. Kjo këngë lapidar, këndohet nga Grupi i Tragjasit, me marrës bilbilin Tartar Avduli.
Plaku me mjekër të bardhë
Plaku me mjekër të bardhë,
Rëndë ngjitet në pallatë,
Kalonte rojet me radhë,
Burri i shtetit diplomat!
Roja e Portës Fëlldishtë,
Plakun deshi ta ndalojë,
Ky serioz ja bën me gisht,
Trimin mbrapa i tregoi!
Malësori shpatë-zhveshur,
Për dredhi i pregatitur,
Pyet rojën duke qeshur,
Mos koburja duhet qitur!
Trimin nuk e mbajti vendi,
Nga roja ç’i mbiu syri,
Hoq koburen prej argjendi,
Ministrit brenda ç’i hyri!
“Për shqiptarët kam dëgjuar”,
-Thotë Englezi i krekosur-,
“Se kudo që kanë shkuar,
Asnjë s’i ka çarmatosur!”
“Veç këtë ju e kuptoni,
Se sa ju vlejti lëkura,
Them se duhet ta besoni,
Se mbi ju paska më burra!”
Trimi me ministrin qeshi,
Nga xhepi i jelekut të vjetër,
Ku për brezi armën ngjeshi,
Nxori një kobure tjetër
Nuk çarmatoset shqiptari,
As nga sërbi-malazezi,
As nga turku e italiani,
As në Londër nga englezi!
Kënga e Fterrës
Poeti i Fterrës, Teno Lona, i këndon kështu Ismail Qemalit në një këngë ku marrës ishte bilbili fterriot Hasan Mehmeti:
Hapi portat e Stambollit,
Çau dallgët e Egjeut,
Dukeshin kreshtat e Jonit
porsi shpatë e Skënderbeit.
I nisi trimat Kosova,
Ata bijtë e saj të shquar,
Tërë fushat, mallet tona,
Dimër qe, po lulëzuan…
Balada e Agim Shehut dhe Tomorr Lelos
Poeti i njohur nga Labëria, Agim Shehu, së bashku me këngëtarin e Mesaplikut Tomorr Lelo, do shkruanin një baladë tjetër për Ismail Qemalin. Kjo këngë është kënduar nga Tomorr Lelo dhe Nazif Cela.
Të dy bashkë u nisën
ku merrej vendimi
Ismail Qemali
e Isa Boletini!
Se kishte shumë halle
Shqipëri e mjera
po duhej rovolet
t’i linin te dera!
U futën në Londër
brënda në pallat’ë
trimi luftëtar
e plaku dipllomat’ë!
Dolli Lordi i Madh’ë
me një gjuhë të zgjidhur
me një fjalë të rëndë
me humor të shtirur!
Ja – tha – shqipëtarët
kurrë nuk i besoja
që të çarmatosur
këtu t’i shikoja!
Ky ishte momenti
nuk kish’ më ç’të pritej
nën’ë brez bereta
zu’ të hasharitej!
Faqen kish’ për trupi
veshin kish’ tek gjaku
syri i pagjumë
përgjonte nga plaku!
Vetëtiu sërmaja
vetëtiu fildishi
ndritën malet tona
sado larg që ishin!
Se nga gryk’ e saja
ishin zgjidhur halle
Shqipëri e vogël
në sofrën e madhe!
Kaninë dhe Labëria sot
Në fshatin e tij, në Kaninën e bukur, grupi polifonik mori emrin e Ismail Qemalit. Emri i tij u përjetësua kështu nga këngëtarët kaninjonë, Meleq Kapllani dhe Pirro Bregu. Gjithashtu edhe Grupi i Armenit me në krye Rramën Nuredinin i ka kënduar Atit të kombit. Poeti Sejmen Gjokoli ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh ndër vite për përkujtimin dhe përjetësimin e figurës së Ismail Qemalit, duke synuar njohjen e figurës së tij nga të rinjtë. Poeti i Tërbaçit Albert Habazaj, në studimet e tij, ka analizuar punën dhe veprën e Ismail Qemalit.
E nisëm me vargjet e Vranishtit dhe le ta mbyllim me disa vargje të popullit që vranishtiotët i kanë kënduar sa herë kanë qenë në luftë. Ky është një variant i viteve 1920, pra në kohën e Luftës së Vlorës:
Më 28 Nëntorë,
Në këmbë u ngrit Shqipëria,
Ismail Qemali në Vlorë,
Me të gjithë shokët e tija,
I tha popullit me gojë:
“Poshtë o shokë robëria!
Evropa le ta dëgjojë,
Nuk ka vënt këtu Turqia,
Ja të vdesim, ja të rrojmë,
Është e jona Shqipëria.
Unë jam Smail Qemali
Prapa më vjen historia
Sazanë e Karaburunë,
Janë vatanet e mia,
Do t’i marr se s’është punë
Është e jona Shqipëria…”
Kjo këngë, krahas Grupit të Vranishtit, është kënduar dhe nga bilbili i Himarës, Dhimitër Varfi, në vitet 1970.
Gjithë këto këngë, por edhe krye-kënga “Cili je ti morë Burrë”, nuk e kanë dhënë dot përgjigjen. Përgjigjen do e japë kombi shqiptar, sot e në përjetësi. Sepse emri i Smail Qemalit është i lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Shqipërisë moderne!
Përulemi me respekt dhe nderim përballë punës dhe veprës së tij!
Vranisht, Vlorë, 20-27 Nëntor 2026
Burimi: gazetadita.al










