Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Rina Lipa, motra e Dua Lipës, nis karrierën e saj të pavarur në aktrim

Rina Lipa, motra e Dua Lipës, nis karrierën e saj të pavarur në aktrim
Foto: kultplus.com

E njohur për publikun edhe si motra e këngëtares me famë botërore Dua Lipa, Rina Lipa po përpiqet të ndërtojë identitetin e saj në botën e artit, duke e orientuar karrierën drejt aktrimit dhe modës. Rrugëtimi i saj është vënë në fokus edhe nga gazeta spanjolle El País, e cila i ka kushtuar një profil ambicieve dhe angazhimeve të saj artistike.

Rina Lipa, emri i plotë i së cilës është Anne Rina Lipa, është 25 vjeçe dhe ka lindur në Londër. Me prejardhje shqiptaro-kosovare, ajo ka ndjekur studimet për Arte Dramatike dhe Teatrale në universitetin Goldsmiths, ku është diplomuar në vitin 2023. Interesimi i saj për artin skenik ka nisur shumë më herët, ndërsa baletin e ka ushtruar që në moshën 11-vjeçare dhe është trajnuar edhe në shkollën e njohur Sylvia Young, transmeton KultPlus.

Rina Lipa, motra e Dua Lipës, nis karrierën e saj të pavarur në aktrim

Karriera në film dhe modë

Përveç përvojës në botën e modës, Rina ka nisur të krijojë edhe rrugën e saj në film. Ajo ka qenë e përfshirë në realizimin e filmit të shkurtër “Weight of Ribbons”, në të cilin ka marrë pjesë edhe si skenariste, ndërsa “Grave Expectations” shënon projektin e saj të parë në një film artistik me metrazh të gjatë.

Në modë, Rina ka tërhequr vëmendje përmes paraqitjeve në pasarelë dhe fushatave të markave të njohura. Ajo ka sfiluar për GCDS dhe ka qenë pjesë e një fushate të Red Valentino-s, ndërsa është shfaqur edhe në ngjarje të rëndësishme të shtëpive të modës si Burberry, Miu Miu dhe Gucci. Në rrjetet sociale, ajo ndiqet nga një numër i konsiderueshëm përdoruesish, me afro një milion ndjekës në Instagram.

Stili dhe ndikimi familjar

Stili i saj personal mbështetet në referenca të modës së viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, me një preferencë për fustanet e shkurtër dhe veshjet me frymë retro. Në intervista, Rina ka folur edhe për ndikimin që ka pasur motra e saj e madhe në formimin e saj. Në një bisedë për Tatler, ajo ka treguar se kur ishte më e re i pëlqente të vishte rrobat e Duas, ndërsa për British Vogue e ka cilësuar këngëtaren si mësuesen e saj më të madhe, duke vlerësuar veçanërisht përkushtimin dhe etikën e saj të punës.

Rina Lipa, motra e Dua Lipës, nis karrierën e saj të pavarur në aktrim

Lidhjet me Kosovën

Historia e familjes Lipa lidhet ngushtë edhe me Kosovën. Prindërit e tyre u shpërngulën drejt Londrës në vitin 1992, në kohën e konflikteve në ish-Jugosllavi. Më vonë, familja u kthye në Prishtinë, kur Dua ishte 11 vjeçe, ndërsa këngëtarja u rikthye në Londër katër vjet më pas. Edhe Rina e vazhdoi më vonë jetën në kryeqytetin britanik, ku po zhvillon angazhimet e saj artistike.

Ndonëse emri i saj lidhet natyrshëm me suksesin ndërkombëtar të Duas, Rina po kërkon të afirmohet përmes projekteve dhe zgjedhjeve të veta, duke synuar një vend të veçantë në aktrim dhe në industrinë kreative./KultPlus.com

Rina Lipa, motra e Dua Lipës, nis karrierën e saj të pavarur në aktrim
Rina Lipa, motra e Dua Lipës, nis karrierën e saj të pavarur në aktrim
Rina Lipa, motra e Dua Lipës, nis karrierën e saj të pavarur në aktrim

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha