Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Céline Dion falënderon fansat dhe ekipin pas rikthimit në skenë

Céline Dion falënderon fansat dhe ekipin pas rikthimit në skenë
Foto: kultplus.com

Këngëtarja e njohur kanadeze, Céline Dion, ka ndarë një mesazh emocional me rastin e festës së Falënderimeve (Thanksgiving), duke shprehur mirënjohjen për familjen, fansat dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë periudhës së vështirë shëndetësore dhe bënë të mundur rikthimin e saj në skenë këtë vit.

Përmes një postimi në Instagram, artistja falënderoi ekipin e saj mjekësor, bashkëpunëtorët dhe të gjithë personat që punuan prapa skenave për realizimin e rikthimit të saj, duke vlerësuar gjithashtu përkrahjen e vazhdueshme të publikut.

“Ky Thanksgiving, zemra ime është e mbushur me mirënjohje. Për dashurinë e familjes sime, mbështetjen e palëkundur të fansave dhe dhuratën e jashtëzakonshme të rikthimit në skenë këtë vit. Jam mirënjohëse përtej fjalëve”, ka shkruar Dion, transmeton KultPlus.

Céline Dion falënderon fansat dhe ekipin pas rikthimit në skenë

Mirënjohje për ekipin dhe bashkëpunëtorët

Ajo theksoi se rikthimi pas sfidave të shumta nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e një rrethi të madh njerëzish, duke përmendur ekipin mjekësor, bashkëpunëtorët personalë dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e performancave të saj.

“Për secilin prej jush, për familjen dhe fansat e mi që nuk pushuan kurrë së besuari në mua, faleminderit. Do t’ju jem gjithmonë mirënjohëse”, ka shtuar këngëtarja.

Një karrierë e gjatë ndërkombëtare

Céline Dion konsiderohet një nga zërat më të njohur të muzikës bashkëkohore, me një karrierë të gjatë ndërkombëtare dhe hite që kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës pop. Ndër këngët e saj më të njohura janë “The Power of Love”, “Because You Loved Me” dhe “It’s All Coming Back to Me Now”, ndërsa “My Heart Will Go On”, kolonë zanore e filmit “Titanic”, u bë një prej këngëve më të njohura në mbarë botën.

Në vitin 2022, këngëtarja bëri të ditur se ishte diagnostikuar me Sindromën e Personit të Ngurtë (Stiff-Person Syndrome), një çrregullim i rrallë neurologjik që ndikon në kontrollin e muskujve dhe mund të shkaktojë ngurtësi dhe spazma të dhimbshme.

Mesazhi i saj i fundit vjen si një shprehje mirënjohjeje për të gjithë ata që qëndruan pranë saj gjatë kësaj periudhe dhe një dëshmi e rëndësisë që ka rikthimi në skenë pas një beteje të gjatë personale./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha