Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Muçostepa: Integrimi në tregun europian, prioritet për biznesin shqiptar

Muçostepa: Integrimi në tregun europian, prioritet për biznesin shqiptar
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ines Muçostepa, kërkoi mbështetje më të madhe nga Bashkimi Europian për biznesin shqiptar, në kuadër të procesit të integrimit europian, duke theksuar nevojën që përgatitja e sektorit privat të ecë paralelisht me ritmin e negociatave.

Në një fjalë në Komisionin për Integrimin Europian, Muçostepa vlerësoi mbështetjen e Komisionit Europian për procesin e anëtarësimit, ndërsa nënvizoi se 19 nga 31 reformat prekin drejtpërdrejt sektorin privat.

Propozimet e bizneseve shqiptare

Ajo paraqiti disa propozime konkrete të ardhura nga bizneset shqiptare, duke nisur me përshpejtimin e integrimit gradual në tregun unik europian. Muçostepa përshëndeti konfirmimin për nisjen e dialogut në fillim të vitit 2027, ndërsa kërkoi plane sektoriale me afate konkrete për eliminimin e barrierave jotarifore, lehtësimin e procedurave doganore dhe njohjen e certifikimeve e kualifikimeve profesionale.

Një tjetër kërkesë, sipas saj, lidhet me përballimin e kostove të integrimit, duke argumentuar se detyrimet e reja që do të kenë bizneset duhet të shoqërohen me vlerësim paraprak të kostove, periudha tranzitore realiste dhe financime të dedikuara për përmbushjen e standardeve europiane.

Transformimi industrial i ekonomisë

Muçostepa theksoi gjithashtu rëndësinë e transformimit strukturor dhe industrial të ekonomisë shqiptare, si dhe integrimin e saj në zinxhirët europianë të furnizimit.

“Jo thjesht eksport të lëndëve të para, por përpunim në vend dhe krijim të vlerës së shtuar, duke zhvilluar industrinë shqiptare, diversifikuar burimet e furnizimit dhe forcuar sigurinë ekonomike të Europës”, u shpreh ajo.

Në këtë drejtim, kërkoi partneritete strategjike europiane për shfrytëzimin e qëndrueshëm të potencialit mineral dhe energjetik, transferimin e teknologjisë dhe zhvillimin e kapaciteteve industriale.

Konkurrueshmëria e sipërmarrjes vendase

Duke u ndalur te konkurrueshmëria e sipërmarrjes vendase, kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë nënvizoi se 99,9% e ndërmarrjeve shqiptare janë mikro, të vogla dhe të mesme. Për këtë arsye, ajo kërkoi zgjerimin e instrumenteve financiare europiane, grante investimi, skema garancish kreditore, reduktim të kërkesave për kolateral, si dhe kredi afatgjata me kushte të favorshme. Gjithashtu, propozoi fonde të dedikuara për modernizimin teknologjik, digjitalizimin, certifikimin dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese të kompanive shqiptare.

Ndër propozimet e paraqitura ishte edhe hapja e thirrjeve europiane për investime private strategjike për projekte me vlerë nën pragun prej 10 milionë eurosh, si dhe krijimi i partneriteteve mes investitorëve të huaj dhe kompanive shqiptare për përfshirjen e këtyre të fundit në zinxhirët europianë të vlerës.

Përfshirja e organizatave të biznesit

Në përfundim, Muçotepa kërkoi përfshirjen e strukturuar të dhomave dhe organizatave të biznesit në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e reformave, të shoqëruar me mbështetje financiare dhe teknike.

/e.xh/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha