Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Palltoja e Harrisonit nga koncerti i fundit i Beatles shitet për gjysmë milion dollarë

Palltoja e Harrisonit nga koncerti i fundit i Beatles shitet për gjysmë milion dollarë
Foto: kultplus.com

Një nga veshjet më të veçanta të George Harrisonit, kitaristit të grupit legjendar britanik The Beatles, pritet të dalë në ankand në New York, me një vlerësim fillestar prej 400 mijë deri në 500 mijë dollarësh.

Bëhet fjalë për pallton e zezë prej leshi mongol, të cilën Harrison e mbajti gjatë paraqitjes së fundit të The Beatles në skenë, në koncertin spontan të zhvilluar më 30 janar 1969, në çatinë e ndërtesës së Apple Corps, në adresën 3 Savile Row në Londër.

Historia e veshjes

Veshja ka edhe një histori personale. Ajo u krijua nga stilistja e njohur britanike Dame Mary Quant për martesën e Harrisonit me Pattie Boyd, në vitin 1966. Në atë ceremoni, edhe Boyd kishte veshur një pallto prej gëzofi dhelpre të kuqe, të dizajnuar nga Quant, transmeton KultPlus.

Duke kujtuar atë ditë, Boyd kishte treguar se Mary Quant kishte krijuar një pallto prej gëzofi për të dhe një tjetër prej leshi mongol të zi për George Harrisonin. Ajo e kishte përshkruar martesën si një premtim dashurie të përjetshme dhe fillimin e një jete të lumtur së bashku.

Koncerti i fundit live

Tre vjet më vonë, e njëjta pallto u bë pjesë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e muzikës pop. Harrison e veshi gjatë koncertit të famshëm në çatinë e Apple Corps, i cili shënoi performancën e fundit live të grupit The Beatles.

Ankandi në Sotheby’s

Palltoja do të jetë pjesë e ankandit “Rock & Pop” të shtëpisë së njohur të ankandeve Sotheby’s në New York, i cili përfundon më 15 dhjetor 2026. Ajo do të ekspozohet për publikun nga 2 deri më 14 dhjetor, përpara se t’i nënshtrohet ofertave të koleksionistëve.

Craig Inciardi, specialist i muzikës dhe kulturës pop në Sotheby’s, ka vlerësuar se kjo veshje përfaqëson një dëshmi të jashtëzakonshme të historisë së The Beatles, duke bashkuar martesën e Harrisonit në kulmin e Beatlemania-s me koncertin e fundit të grupit.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e faktit që palltoja është dizajnuar nga Mary Quant, një nga figurat më me ndikim të modës britanike, duke bashkuar kështu tri emra të rëndësishëm të kulturës së viteve ’60.

Ndërtesa në Savile Row

Dalja e palltos në ankand vjen në një kohë kur ndërtesa historike në Savile Row po përgatitet të rihapet në vitin 2027 si një hapësirë kushtuar fansave të The Beatles. Sipas planeve të bëra publike, koncertet live nuk do të lejohen në çati, por do të zhvillohen në hapësirën e kafenesë në bodrum, e cila pritet të organizojë deri në 104 ngjarje në vit. /KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha