Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime, përfshirë ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së fondeve për paga dhe shtesa për muajin nëntor.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në mbledhjen e 14-të janë miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Programit të Projektligjeve për periudhën 2026-2028.
Emërimet në pozita drejtuese
Qeveria ka marrë gjithashtu vendim për emërimin e komisioneve të pranimit për tri pozita të kategorisë së lartë drejtuese.
Bëhet fjalë për pozitën e drejtorit ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës, atë të Komisionerit për Gjuhët në Zyrën e Kryeministrit, si dhe pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Vendime të tjera buxhetore dhe administrative
Në të njëjtën mbledhje, është miratuar edhe vendimi për korrigjimin e vendimit të Qeverisë me numër 10/12, të datës 17 nëntor 2026.
Ndërkaq, një tjetër vendim i miratuar ka të bëjë me ndarjen e mjeteve buxhetore për të mbuluar mungesën e financimit në kategorinë e pagave dhe shtesave për muajin nëntor 2026.
Burimi: insajderi.org









