Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

PD i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për reformën territoriale

PD i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për reformën territoriale
Foto: euronews.al

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar të mërkurën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ligjit për ndarjen administrativo-territoriale, i cili redukton numrin e bashkive nga 61 në 46.

Kërkesa e opozitës para Gjykatës Kushtetuese

Në emër të grupit, përmes një videomesazhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka bërë të ditur se opozita ka evidentuar shkeljet kushtetuese që, sipas saj, mazhoranca ka kryer gjatë miratimit të ligjit të ri. Në bazë të kësaj, forca politike kërkon pezullimin e këtij ligji dhe shqyrtimin e tij me përparësi.

“Të dashur bashkëqytetarë, të nderuar qytetarë të 15 bashkive, të cilat Edi Rama i shkriu me një të rënë të lapsit. Dje grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ndarjes së re administrative-territoriale, që uli numrin e bashkive në mënyrë të pajustifikuar nga 61 në 46 bashki. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, grupi ynë parlamentar ka evidentuar qartë shkeljet kushtetuese që mazhoranca ka kryer në miratimin e ligjit të ri për ndarjen e reformës administrativo-territoriale.

Shkeljet e pretenduara

Së pari, është evidentuar se miratimi i ligjit është bërë pa shumicën e cilësuar të kërkuar nga Kushtetuta, për shkak të pavlefshmërisë së tre votave të dhëna gjatë seancës plenare. Së dyti, është evidentuar qartësisht se nuk ka pasur asnjë konsultim paraprak me qytetarët, të cilët masivisht e kishin kundërshtuar ligjin e ri. Kjo ka sjellë cenim të autonomisë vendore dhe, siç shprehen autoritetet lokale të Këshillit të Evropës, ka cenuar Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore, konkretisht nenin 5 të saj. Së fundmi, kemi evidentuar se ky ligj, i miratuar vetëm me votat e mazhorancës, pra sipas dëshirës së Edi Ramës, ka cenuar sigurinë juridike.

Kërkesa për pezullim dhe shqyrtim me përparësi

Për shkak të urgjencës së çështjes, i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese së pari pezullimin e këtij ligji dhe së dyti shqyrtimin e tij me përparësi, pasi presidenti i Republikës, edhe ai në mënyrë të njëanshme, ka dekretuar zgjedhjet e reja vendore për 9 maj 2027. Ne kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të respektojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, t’i bindet vullnetit të qytetarëve dhe vullnetit të autoriteteve lokale të 15 bashkive, që, siç e thashë në fillim të kësaj deklarate, kanë qenë kundër ligjit të ri të miratuar vetëm me votat e Edi Ramës. Uroj dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të mbrojë interesin e qytetarëve, por mbi të gjitha të mbrojë Kushtetutën”, u shpreh Bardhi.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha