Akuzat ndaj 10 të pandehurve
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka dërguar për gjykim 10 të pandehur, të akuzuar për pastrim parash nga trafiku i lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit të SPAK-ut, gjatë hetimit të kryer në Itali dhe Shqipëri është dokumentuar aktiviteti kriminal i kryer nga këta shtetas shqiptarë dhe italianë. Ata, duke vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, kanë kryer vepra penale si trafikimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, vrasja me dashje dhe pastrimi i produkteve të veprës penale.
Gjatë këtij hetimi janë dokumentuar gjithashtu episode të transferimit të vlerave të ndryshme monetare, të përfituara nga tregtimi dhe shitja e lëndëve narkotike në Italinë e Jugut dhe në zona të tjera të Italisë. Paratë dërgoheshin më pas drejt Shqipërisë, me qëllim pastrimin dhe mbulimin e origjinës së tyre të paligjshme.
Të pandehurit dhe veprat penale
Të pandehurit janë:
1. I.K, i akuzuar për “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, si dhe për “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”, sipas neneve 287/1/a, b dhe ç, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.
2. E.K alias B, i akuzuar për të njëjtat vepra penale, sipas neneve 287/1/a, b dhe ç, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.
3. N.K, e akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale dhe për veprimtari në grup të strukturuar kriminal, sipas neneve 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
4. I.K, e akuzuar për të njëjtat vepra penale, sipas neneve 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
5. B.Gj, i akuzuar për të njëjtat vepra penale, sipas neneve 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
6. L.N, i akuzuar për të njëjtat vepra penale, sipas neneve 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
7. E.B, i akuzuar për të njëjtat vepra penale, sipas neneve 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
8. D.B, e akuzuar për të njëjtat vepra penale, sipas neneve 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
9. S.P, i akuzuar për të njëjtat vepra penale, sipas neneve 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
10. S.F, i akuzuar për të njëjtat vepra penale, sipas neneve 287/1/a dhe b, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Hetimi i përbashkët dhe mënyra e transportit të parave
Hetimet për këtë procedim penal janë kryer në Shqipëri dhe Itali nga një Skuadër e Përbashkët Hetimore mes SPAK-ut dhe Prokurorisë DDA të Barit, Itali, me mbështetjen e Eurojust.
Paratë transportoheshin në mënyrë të organizuar nga anëtarët e grupit, kryesisht nga shoferë të transportit ndërkombëtar ose korrierë, përmes rrugëve informale për të shmangur kontrollet e agjencive ligjzbatuese. Ato fshiheshin në automjete ose mes sendeve të zakonshme, si veshje të përdorura. Transportuesit shpërblehoshin me një përqindje të shumës së transportuar.
Më 14.11.2024, në Pikën e Kalimit Kufitar të Murriqanit, Shkodër, gjatë një kontrolli të koordinuar me hetimin e përbashkët, u sekuestrua shuma prej 680.595 eurosh, e fshehur në një vend të përshtatur enkas në automjetin “Mercedes Benz” me targë AB216RE, të drejtuar nga shtetasi L.N.
Roli i secilit të pandehur
Hetimet kanë identifikuar E.K si furnizuesin dhe ndërlidhësin mes anëtarëve të grupit, si dhe dhënësin e porosive për marrjen e parave në Itali. I.K menaxhonte trafikimin në Itali dhe vendoste mbi destinacionin e përfitimeve. E.B koordinonte zbatimin e porosive dhe kontrollonte transportuesit, duke u dhënë udhëzime për itinerarin, paketimin dhe fshehjen e parave. B.Gj përcillte porositë për marrjen e parave, ndërsa L.N transportonte paratë sipas udhëzimeve të koordinuesve dhe dërgonte fotografi të shumave të marra.
N.K, bashkëshortja e I.K, administronte “arkën” e grupit dhe vendoste për shumën, transportuesit dhe destinacionin e parave në Shqipëri. D.B bashkëpunonte me të bijën N.K dhe me S.P për transferimin e shumave nga Italia drejt Shqipërisë, duke qenë e vetëdijshme për origjinën kriminale të aktivitetit. S.P, në koordinim me anëtarët e tjerë në Itali dhe Shqipëri, kreu transportimin fizik të shumave gjatë dy episodeve të dokumentuara. S.F ishte pjesë e zinxhirit operativ, duke transportuar vlera monetare të fshehura nga Italia në Shqipëri. Ndërsa I.K, me lidhje familjare me I.K, shërbente si person i besuar për marrjen dhe ruajtjen e përkohshme të parave nga banesa e tij, për të shmangur sekuestrimin.
Hetimet vazhdojnë në Itali dhe Shqipëri për identifikimin e plotë të pjesëtarëve të grupit kriminal.
Burimi: euronews.al










