Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

Nufi propozon agjendë të përbashkët me Kosovën për sigurinë kibernetike

Nufi propozon agjendë të përbashkët me Kosovën për sigurinë kibernetike
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kërkoi forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e informacionit, infrastrukturave kritike dhe sistemeve digjitale, si dhe një partneritet më konkret mes Shqipërisë dhe Kosovës për përballimin e kërcënimeve kibernetike.

Në konferencën “Sfidat e Sigurisë së Informacionit në realitetin e TIK”, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar në Shqipëri dhe Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar në Kosovë, Ministri Nufi theksoi se siguria e informacionit është pjesë e pandashme e sovranitetit, e garantimit të zinxhirit të komandimit dhe kontrollit, si dhe e përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare

“Një sulm ndaj sistemeve të informacionit, një cenim i infrastrukturës kritike apo një rrjedhje e informacionit të klasifikuar mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare, funksionalitetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve”, u shpreh Nufi.

Duke u ndalur te zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, ai vlerësoi se teknologjitë e reja po ndryshojnë natyrën e kërcënimeve, duke krijuar mundësi për sulme më komplekse, manipulim informacioni dhe shfrytëzim të dobësive, por njëkohësisht edhe instrumente të rëndësishme për zbulimin e hershëm dhe mbrojtjen proaktive.

Në këtë kontekst, Nufi nënvizoi se inovacioni duhet përqafuar, por pa cenuar sigurinë, besueshmërinë dhe kontrollin mbi informacionin, ndërsa investimi në sigurinë digjitale duhet konsideruar si investim strategjik për stabilitetin e vendit dhe qëndrueshmërinë e institucioneve.

Bashkëpunimi Shqipëri–Kosovë

Një fokus i veçantë i fjalës së ministrit iu kushtua bashkëpunimit Shqipëri–Kosovë, të cilin e cilësoi jo thjesht një mundësi, por një domosdoshmëri strategjike përballë kërcënimeve që prekin të gjithë hapësirën digjitale.

“Ne duhet të jemi të vendosur ta çojmë bashkëpunimin dhe partneritetin tonë në një nivel më konkret dhe më ambicioz!”, deklaroi Nufi, duke propozuar forcimin e konsultimeve ndërinstitucionale, një agjendë të përbashkët me objektiva të matshme, ushtrime të përbashkëta kibernetike, shkëmbim të sigurt informacioni, si dhe programe të përbashkëta akademike dhe profesionale.

Ministri vlerësoi gjithashtu rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve kombëtare, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se asnjë shtet apo institucion nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat e reja të sigurisë.

Thirrja për veprime konkrete

Në mbyllje, Ministri Nufi foli edhe për incidentin me anijen ruse në Libi, për të cilin tha se u përhap një dezinformim që përfshiu Shqipërinë. Ai bëri thirrje që lidhjet historike dhe partneriteti mes Shqipërisë dhe Kosovës të shndërrohen në kapacitete dhe veprime konkrete, në funksion të sigurisë së të dy vendeve, stabilitetit rajonal dhe qëndrueshmërisë së hapësirës euroatlantike.

/e.i/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha