TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Në qarkun e Shkodrës reshjet e shiut vijojnë me intensitet mesatar.
Sipas njoftimit të qarkut të Shkodrës, situata paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme dhe deri në këto momente nuk raportohen probleme madhore.
Gjendja në bashkitë e qarkut
Në bashkinë Shkodër grupet e punës janë në terren dhe në gatishmëri, duke vijuar pastrimin e kanaleve për garantimin e kullimit të ujërave të shiut.
Në bashkinë Malësi e Madhe evidentohen ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike në Kelmend dhe Kastrat. Prurjet e lumenjve nuk paraqesin probleme.
Në bashkinë Vau i Dejës raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike në pothuajse të gjitha njësitë administrative.
Bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportojnë probleme të lidhura me emergjencat civile.
Punimet dhe situata rrugore
Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në linjat përkatëse.
Sa i përket situatës rrugore në aksin Qafë Thorë–Theth, është ndërhyrë nga firmat e mirëmbajtjes për largimin e gurëve dhe materialeve inerte. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në koordinim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse, vijon monitorimin e situatës dhe mbajtjen në gatishmëri të strukturave operacionale.
/e.i/a.f/
Burimi: ata.gov.al










