Ushtria zvicerane planifikon të dërgojë satelitin e saj të parë në orbitën e Tokës në vitin 2028. Ky projekt bën pjesë në një strategji hapësinore me buxhet prej 850 milionë frangash zvicerane gjatë 12 viteve.
Hapësira si prioritet ushtarak dhe sigurie
Hapësira po merr gjithnjë e më shumë rëndësi për ushtrinë dhe sigurinë kombëtare. Për këtë arsye, Zvicra krijoi këtë vit një qendër të specializuar për zhvillimin e kapaciteteve hapësinore.
“Ne duam të arrijmë shumë dhe shpejt”, ka deklaruar Peter Bruns, gjeneral brigade përgjegjës për prokurimin dhe zhvillimin e kapaciteteve hapësinore të ushtrisë zvicerane, sipas Watson.
Sipas tij, ndërprerja e shërbimeve satelitore mund të ketë pasoja katastrofike, jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për jetën e përditshme të qytetarëve. Sektorë të rëndësishëm, si navigimi, shërbimet financiare, komunikimi dhe rrjeti elektrik, varen nga teknologjia satelitore.
Plani i zhvillimit të kapaciteteve
Sateliti i parë i ushtrisë zvicerane do të përdoret fillimisht për vëzhgim vizual. Në fazat e mëvonshme parashikohet zhvillimi i sistemeve të radarëve, komunikimit, navigimit dhe vetëmbrojtjes në hapësirë.
Si një vend i vogël, Zvicra synon t’i zhvillojë këto kapacitete përmes bashkëpunimit me shtetet e tjera dhe sektorin civil. Kjo qasje e lejon vendin të arrijë rezultate të larta me kosto relativisht të ulët.
Burimi: abcnews.al










