Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Asnjë kandidat nuk shfaqet në intervistë për Bordin e RTK-së, opozita alarmohet

Asnjë kandidat nuk shfaqet në intervistë për Bordin e RTK-së, opozita alarmohet
Foto: gazetaexpress.com

Kandidatët nga komuniteti shqiptar për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës nuk kanë shkuar në intervistë, tha në seancën e sotme në Kuvend shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.

Prandaj, sipas saj, sot nuk ka kandidatë për t’ia propozuar Kuvendit për këtë bord.

“Gjatë intervistave të zhvilluara, nuk kemi arritur të kemi kandidatë që plotësojnë kriteret për t’u prezantuar këtu në seancë dhe do të vazhdojmë me propozime vetëm për anëtarët e komunitetit joshumicë joshqiptar dhe anëtarët joshumicë joserb”.

Pas kësaj, deputetët opozitarë ngritën shqetësime dhe akuzuan partinë në pushtet se ky proces është dëmtuar nga ndërhyrjet politike, dhe se kandidatët po demotivohen sepse anëtarët e bordit emërohen gjithmonë nga ata që kanë lidhje politike me Vetëvendosjen.

Reagimet e opozitës

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se nuk është se kandidatët e shumicës shqiptare nuk i kanë plotësuar kriteret, por se të gjithë janë tërhequr nga gara dhe asnjëri prej tyre nuk është paraqitur në intervistë.

“Prandaj, kjo çështje duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe ne duhet të krijojmë kushte e të inkurajojmë profesionistët dhe njerëzit që mund të kontribuojnë në këtë fushë që të konkurojnë, të mos frikësohen dhe të vazhdojnë procedurat pa ndërhyrje dhe ndikime politike”.

Musliu tha se të gjithë kandidatët shqiptarë kanë marrë vendim të tërhiqen nga intervista, pavarësisht se të gjithë i kishin plotësuar kushtet për të qenë pjesë e intervistës ose të bordit të RTK-së.

“RTK s’është e asnjë partie politike, prandaj të gjithë pa dallim duhet t’i mbajmë duart larg nga institucionet e pavarura”.

Nagavci u përgjigj se gjashtë kandidatë i kanë plotësuar kriteret për të qenë pjesë e intervistave, por një prej tyre ka njoftuar se nuk ka mundësi të vijë sepse ishte jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët nuk kanë marrë pjesë fare. “Andaj edhe nuk kemi propozime për seancë dhe besoj se do të rishpallet konkursi”, tha ajo.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ngriti alarmin se po dëmtohen rëndë trupat e pavarur kushtetues të vendit me emërime politike.

“Konkursi ka qenë për katër anëtarë që duhet të zgjidhen për Bordin e RTK-së. E vërtetë që shqiptarët e nominuar s’kanë ardhur në intervistë”, tha ai, duke përmendur se më parë në Kuvend u emëruan anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës sipas preferencave të Vetëvendosjes.

“Ky është një demotivim për të tjerët nëse nuk gjejnë një lidhje për të komunikuar me Vetëvendosjen dhe për t’u bërë anëtar i bordit të RTK-së. Dhe kjo është për të ardhur keq. Të njëjtët që janë tërhequr nga kjo garë kanë qenë edhe në garën e kaluar. Në fakt kanë pasur CV-të shumë më të avancuara dhe përgjigjet gjithashtu, por poentimi ka shkuar jo mirë, dhe pasojat shihen në mënyrën se si menaxhohet RTK-ja. Nëse hapim konkurs dhe nuk kërkojmë CV, vijnë, intervistohen, i pëlqejnë subjektit politik dhe sigurojnë shumicën parlamentare. Pse duhet t’i lodhim njerëzit me fotokopje, CV dhe gradë shkencore dhe lloj-lloj angazhimesh profesionale, kur në fund nuk merret fare parasysh? Kjo është arsyeja që na është thënë se shumica janë tërhequr dhe sot nuk kemi anëtarë të propozuar nga komuniteti shqiptar”.

Zemaj tha se gjendja nuk është më e mirë as te kandidatët nga komunitetet e tjera.

“Njëjtë vlen edhe për komunitetet. Janë vetëm dy, sepse dy duhet të sillen në Kuvend, dhe të tjerët janë tërhequr. Kjo është logjikë e instaluar në Kuvendin e Kosovës në ndërtimin e trupave të pavarur kushtetues. Kjo do t’i bëjë dëm institucioneve të pavarura. Kjo është fatkeqësi për vendin”.

Edhe deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, tha se nëse nuk kanë rëndësi profilet dhe arritjet profesionale të kandidatëve, atëherë mos u kërkohet fare CV.

“Nuk kanë pse të vijnë në intervistë sepse është krijuar perceptimi se nuk do të kalojnë dhe se janë njerëzit e përzgjedhur para se të vijnë në intervistë. Gjatë poentimit e kemi parë se ata që në intervistë kanë qenë tepër të dobët janë poentuar me maksimumin e pikëve, ndërsa ata që kanë qenë tepër të mirë dhe kanë merituar mbështetjen e Komisionit janë poentuar me minimum. Kjo është arsyeja që njerëzit me integritet nuk kanë dashur të kandidojnë dhe janë tërhequr për shkak të këtij përçmimi që u është bërë nga Komisioni. Nuk ka integritet të Komisionit këtu, ka vetëm ndërhyrje politike. Ai që i plotëson kriteret politike për të qenë në atë bord apo agjenci kalon, të tjerët nuk kandidojnë”.

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha