Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Fermeri në Greqi arrestohet pasi vrau punëtorin bullgar 24-vjeçar me armë gjahu

Fermeri në Greqi arrestohet pasi vrau punëtorin bullgar 24-vjeçar me armë gjahu
Foto: balkanweb.com

Një fermer 50-vjeçar në zonën e Dramës, në Greqi, ka pranuar se ka vrarë punëtorin e tij 24-vjeçar nga Bullgaria, i cili rezultonte i zhdukur prej disa ditësh. Pas rrëfimit, ai i tregoi policisë edhe vendin ku kishte fshehur trupin e të riut, i cili u gjet të mërkurën në mbrëmje në një zonë rurale. Në lidhje me ngjarjen është arrestuar edhe nipi i autorit të dyshuar.

24-vjeçari ishte zhdukur që prej 21 nëntorit nga periferia e Dramës, ndërsa autoritetet kishin nisur kërkimet për gjetjen e tij. Që në fazat e para të hetimit, dyshimet u përqendruan te fermeri 50-vjeçar, pasi ai ishte personi i fundit që e kishte parë të riun gjallë.

Rrëfimi i autorit të dyshuar

Përballë provave dhe ngushtimit të rrethit të hetimeve, 50-vjeçari u dorëzua dhe pranoi autorësinë e vrasjes. Sipas dëshmisë së tij, shkak për krimin ishin mosmarrëveshjet financiare mes tyre. Mediat greke raportojnë se dyshohet që mes fermerit dhe 24-vjeçarit të ketë pasur edhe një marrëdhënie romantike. Autori i dyshuar ka pretenduar se i riu e kërcënonte dhe i kërkonte vazhdimisht para. Në dëshminë e tij, fermeri ka treguar se e kishte qëlluar 24-vjeçarin me armë gjahu dhe më pas kishte fshehur trupin në një zonë rurale. Policia shkoi në vendin e treguar prej tij, ku gjeti edhe trupin e viktimës.

Gjetja e furgonit dhe hetimet

Ndërkohë, furgoni i të riut ishte gjetur i braktisur të hënën, më 23 nëntor, në zonën e Kato Nevrokopit. Në automjet nuk ndodheshin dokumentet personale dhe as telefoni celular i 24-vjeçarit, i cili rezultonte i fikur që prej natës së së shtunës. Viktima jetonte në Bullgari dhe ishte baba i dy fëmijëve. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes dhe përcaktimin e përfshirjes së personave të tjerë vijojnë.

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha