Superliga e futbollit do të vazhdojë me xhiron e 15-të, e cila do të luhet brenda tri ditëve.
Për festën e 28 Nëntorit nuk do të ketë ndeshje të shtunën, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen të premten, të dielën dhe të hënën.
Llapi viziton Malishevën
Kjo xhiro do të hapet me një përballje tepër interesante. Llapi, që vjen pas dy fitoresh radhazi, do ta vizitojë Malishevën, e cila edhe në këtë sezon ka treguar se është një skuadër e fortë.
Mbetet të shihet nëse ekipi i Kastriot Rexhës do t’i mbajë pikët në shtëpi dhe do të qëndrojë pranë liderit Prishtina, apo skuadra e Tahir Batatinës do të regjistrojë një tjetër fitore të madhe për t’u ngritur edhe më lart në tabelë.
Derbi i Anamoravës dhe duelet e tjera të së dielës
Të dielën do të luhen dy ndeshje të tjera. Pa dyshim, vëmendja e të gjithëve do të jetë te derbi i Anamoravës mes Gjilanit dhe Dritës, dy skuadra që kanë ambicie të mëdha edhe në këtë sezon.
Në ndeshjen tjetër të së dielës, Feronikeli 74 do ta presë liderin Prishtina.
Skuadra nga Drenasi është zgjuar në javët e fundit dhe pritet të jetë një sfidë e vështirë për Bardhekaltrit, të cilët sigurisht do të kërkojnë tri pikë në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.
Përfundimi i xhirosë
E hëna do të sjellë dy ndeshjet e fundit të kësaj xhiroje.
Interesante do të jetë ballafaqimi mes Dukagjinit dhe Ballkanit, ku të dyja skuadrat kanë mundësi reale për të siguruar një rezultat pozitiv.
Ndërsa xhiroja mbyllet me dy skuadra që do të përpiqen t’i shpëtojnë rënies nga liga, Drenica dhe Vushtrria. /Gazeta Express

Burimi: www.gazetaexpress.com










