Kryeministri Albin Kurti sërish i ka bërë përgjegjëse komunat për arsimin e dobët, duke thënë se kjo është arsyeja pse po ka migrim të qytetarëve, si brenda vendit, drejt Prishtinës dhe Fushë Kosovës, ashtu edhe jashtë vendit.
Kritika ndaj sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë
Por, komunat nuk qenë i vetmi objekt i kritikës së Kurtit. Ai tha se ka shumë “padrejtësi” në sistemin e drejtësisë, ndërsa për prokurorinë tha se edhe ajo “ende” nuk i afrohet standardeve të BE-së.
Decentralizimi dhe cilësia e arsimit
“Problemi themelor që e kemi me arsimin është decentralizimi i tij. Ky decentralizim i skajshëm nëpër komuna, ku shpesh herë nuk ka mirëqeverisje, ka bërë që të ketë dyndje edhe të brendshme edhe të jashtme, por edhe ardhje drejt Prishtinës dhe Fushë Kosovës. Ju e keni parë sot se Fushë Kosova është komunë më e madhe se Peja dhe Gjakova. Pse ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur sepse, për shkak të rritjes ekonomike, klasa e mesme në Kosovë nuk dëshiron që fëmijët e tyre në zonat rurale të mbeten në atë arsim që, fatkeqësisht, për shkak të decentralizimit, vuan nga cilësia. Nuk po them kudo, por jo në pak vende”.
Kurti tha se ka nevojë që të vijë brezi i dytë dhe i tretë i bashkatdhetarëve, për t’i dhënë hov përparimit të vendit me ekspertizën e fituar në vendet perëndimore.
Sfidat kryesore
“Prandaj arsimi dhe cilësia janë sfidat tona kryesore. Kemi nevojë për ardhjen e bashkatdhetarëve, kemi nevojë për një hov përpara. Jam i bindur që njerëzit nuk e lënë Kosovën për shkak të vendit të punës, nuk e lënë Kosovën sepse nuk ka siguri apo mbrojtje, por për shkak të cilësisë së arsimit në zonat rurale së pari, meqenëse është i decentralizuar. Dhe nga ana tjetër, për shkak të sistemit të drejtësisë, ku ka aq shumë padrejtësi dhe ku përgjithësisht kemi ende prokurori, e cila nuk është as afërsisht në standardet e BE-së ku ne synojmë të anëtarësohemi”.
Burimi: www.gazetaexpress.com










