Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka folur përsëri për protestat, duke thënë se mbi 200 protestues të arrestuar ishin të mitur dhe se nga pak më shumë se 300 të lënduar, mbi 200 ishin punonjës policie. Gjatë fjalës në Kuvend, Demo e cilësoi përdorimin e të miturve në akte dhune si një kambanë alarmi dhe u kërkoi forcave politike ta dënojnë.
Përdorimi i të miturve në protesta
“Janë ndaluar mbi 200 protestues që kanë qenë të mitur. Kjo është një kambanë alarmi për një fenomen që është tejet i rrezikshëm. Është e pafalshme që grupe të caktuara, edhe politike, i përdorin të miturit për të mbuluar aktet e dhunës. Është vërtetuar edhe në procese gjyqësore se të mitur të caktuar janë paguar për të ushtruar dhunë në protestë.
Nëse do të kishte një gjë që do t’i bënte bashkë të gjitha forcat politike, do të ishte refuzimi me neveri i kujtdo që përdor të miturit për të kryer akte dhune. Asnjë i mitur nuk e ka vendin në protesta të dhunshme. Ata duhet të jenë në bankat e shkollës, nën kujdesin e mësuesve dhe të familjes. E shoh tejet shqetësuese që nuk dëgjojmë asnjë nga partitë e opozitës ta dënojë këtë veprim.
Të lënduarit nga radhët e policisë
Nga pak më shumë se 300 të lënduar, mbi 200 kanë qenë punonjës policie. Ky është një fakt shqetësues, sepse kolegët çohen në foltore, flasin për vizitat që bëjnë në spitale dhe kërkojnë që të jetë i gjithë shteti aty. Unë kam qenë çdo natë në spital dhe s’e kam bërë publike. Disa deputetë shkojnë për të bërë videon e radhës dhe shkojnë vetëm te protestuesi. Askush nuk shkon te polici. Kjo nuk mund të jetë një shfaqje”, tha Demo.
Burimi: kohajone.com










