Shërbimi i urgjencës mjekësore pritet të pësojë një sërë ndryshimesh, nga mënyra e organizimit dhe koordinimit të ekipeve në terren deri te pagesat e mjekëve roje. Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, njoftoi se ka nisur rishikimi i ligjit që rregullon funksionimin e urgjencës, ndërsa po punohet paralelisht për digjitalizimin e të gjithë shërbimit, me synim një reagim më të shpejtë dhe të koordinuar ndaj rasteve emergjente.
Rishikimi i ligjit dhe digjitalizimi
“Rishikimi i organizimit të shërbimit të urgjencës, investimet e mëtejshme në digjitalizim dhe unifikimi i protokolleve të shërbimit janë ndër prioritetet tona për të përmirësuar koordinimin dhe cilësinë e përgjigjes ndaj urgjencave mjekësore”, tha Spahiu.
Gjatë vizitës në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Spahiu bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2027 është parashikuar rritja e pagesave për mjekët roje të urgjencës. “Me buxhetin 2027 rrisim edhe pagesat për mjekët roje të urgjencës, duke vlerësuar profesionalizmin, përgjegjësinë dhe kontributin e tyre në vijën e parë të kujdesit shëndetësor. Janë shumë vite punë, shumë vite sakrificë, organizim, qasje tjetër e urgjencës, por jam e bindur që asnjëherë, sidomos në këtë sektor, nuk mund të themi se ia arritëm dhe nuk kemi nevojë për asgjë”, tha Spahiu.
Autoambulancat dhe pajisjet e ekipeve
Ministrja pranoi se investimet në autoambulanca nuk janë të mjaftueshme dhe se duhet ndërhyrë edhe në pajisjet dhe kapacitetet e ekipeve mjekësore që u përgjigjen thirrjeve për ndihmë. “Jemi përpjekur çdo vit që të shtojmë numrin dhe të kemi një buxhet të caktuar për autoambulanca të reja, por e njëjta gjë duhet bërë edhe me ekipet, duhet bërë edhe me pajisjet, pra me çdo gjë që ju e keni të domosdoshme kur shkoni në terren dhe përballeni me një urgjencë që mund të jetë e kategorive të ndryshme”, u shpreh Spahiu. Ministrja foli edhe për ngarkesën që pritet të përballojnë ekipet e urgjencës me afrimin e sezonit të gripit, duke theksuar nevojën për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit.
Burimi: kohajone.com










