Projektligji i ri anti-duhanit përmban kufizime të forta për përdorimin e produkteve me nikotinë. Ky draft i plotë zëvendëson ligjin aktual, që ka qenë në fuqi për 20 vjet dhe që vitet e fundit pothuajse nuk është zbatuar fare. Sipas ekspertëve, edhe ky ligj do të ketë të njëjtin fat nëse nuk shoqërohet me fushata sensibilizuese.
Zbatimi, jo vetëm miratimi
“Ne bëjmë ndryshime ligjore. Do të dalë ky ligj, do të hyjë në fuqi, dhe përsëri shitëset e pakicës, ato që shesin në markete, nuk do të dinë nëse ka ndonjë ndryshim për ata apo jo. Pra kërkohen fushata ndërgjegjësuese në zbatim të ligjit”, thotë Roland Shuperka, eksperti i shëndetit.
Për Shuperkën, një prej kontribuuesve kryesorë në miratimin e ligjit të parë anti-duhan në 2006, sfida kryesore nuk është miratimi i rregullave të reja, por zbatimi i tyre. Ai i bën një thirrje të veçantë prindërve.
“Unë po ashtu do t’i bëj thirrje të gjithë prindërve të kontrollojnë në mënyrë demokratike sjelljen e fëmijëve të tyre në lidhje me pirjen e duhanit”, tha ai.
Ndalesat e reja dhe vështirësitë praktike
Projektligji shton ndalesa si për cigaret elektronike ashtu edhe për produktet alternative të nikotinës, duke i ndaluar në një distancë prej 10 metrash nga kufiri i jashtëm i shkollave dhe spitaleve. Sipas Shuperkës, kjo e vështirëson zbatimin në praktikë.
“Bëhet ndalimi i përdorimit të produkteve të duhanit me djegie, produkteve të avullit dhe produkteve të nikotinës në një hapësirë 10 m larg kufirit të jashtëm të shkollave dhe spitaleve. Shqipëria ka një eksperiencë 20-vjeçare me ligjin anti-duhan dhe masat. Ne akoma nuk e kemi arritur ta ndalojmë në ambientet e brendshme, por po kalojmë tani edhe në ndalimin e përdorimit në ambientet e jashtme”, shton ai.
Edhe korrupsioni gjatë inspektimeve kërkon, sipas tij, një përgjigje më të fortë.
Kufiri i nikotinës në qese
Shuperka ka pikëpyetje edhe për kufirin prej 4 miligramësh nikotinë për qeset që përdoren si çamçakëz.
“Njëkohësisht vendos kufirin 4 mg për qeset e nikotinës. Duhet të tregojë baza shkencore ku e ka gjetur këtë 4 mg. Ky është ligji i fortë dhe ligji është në përputhje me Bashkimin Evropian, sepse do nënshkruhet kapitulli 28. Jam plotësisht dakord që të jetë në përputhje, por mos të jetë më i kaluar”, thotë ai.
Shitja online dhe mbrojtja e të miturve
Projektligji, i hedhur për konsultim publik, parashikon gjithashtu ndalimin e shitjes së produkteve të duhanit dhe nikotinës përmes porosive online dhe shërbimit postar. Sipas relacionit, mungesa e një sistemi të besueshëm për verifikimin e moshës gjatë porosisë dhe dorëzimit krijon rrezikun që këto produkte të përfundojnë në duart e të miturve.
Burimi: lajmifundit.al










