TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zgjodhi Kosovën për vizitën e saj të parë zyrtare jashtë vendit. Fokusi i takimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë, forcimi i kapaciteteve spitalore dhe garantimi i aksesit në shërbime të specializuara për qytetarët e të dy vendeve.
Ministrja Spahiu u prit në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë nga homologu i saj kosovar, Arben Vitia, si dhe nga personeli mjekësor i institucionit.
Bashkëpunimi në shërbime shëndetësore
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, përmes plotësimit të ndërsjellë të shërbimeve shëndetësore, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe forcimit të kapaciteteve spitalore. Synimi është t’u ofrohet qytetarëve kujdes më të specializuar, më pranë vendbanimit dhe pa udhëtime të panevojshme.
Ministrja Spahiu shprehu mirënjohje për personelin mjekësor të Kosovës për kujdesin e ofruar ndaj pacientëve nga Tropoja, Hasi dhe Kruma. Ajo theksoi gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit në shërbime të tjera dhe për forcimin e kapaciteteve të spitaleve rajonale në Shqipëri, me synim shkëmbimin e ndërsjellë të shërbimeve shëndetësore.
“Kam bërë një vizitë kohët e fundit në spitalin e Kukësit dhe në spitalin ditor të Hasit. Kam parë aty nevojat që ato kanë, dhe për këtë ju jam shumë mirënjohëse, që ju keni realizuar që ato shërbimet e munguara që janë atje të merren në mënyrë të përkryer në spitalin e Gjakovës, të Prizrenit dhe në spitalin universitar të Prishtinës. Ndoshta është momenti që edhe ne të forcojmë kapacitetet tona në disa shërbime, si për shembull shërbimin e dializës, në mënyrë që edhe ata pacientë që vijnë këtu ta marrin shërbimin në spitalin e Kukësit dhe anasjelltas”, tha ministrja Spahiu.
Marrëveshje konkrete në perspektivë
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, e vlerësoi vizitën e ministres Spahiu dhe gatishmërinë për ta çuar bashkëpunimin dypalësh në një nivel të ri, përmes marrëveshjeve konkrete që do të zgjerojnë mundësitë e trajtimit dhe do të përmirësojnë aksesin e qytetarëve në shërbimet shëndetësore.
“Pres me padurim që përtej pjesës së shërbimeve të kemi edhe marrëveshje konkrete në të cilat u dakorduam që sa më shpejt të fillojmë dhe të punojmë në to, në mënyrë që këto marrëveshje t’u shërbejnë sa më mirë qytetarëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit”, u shpreh ministri Vitia.
Vizita e ministres Spahiu në spitalin e Gjakovës konfirmon angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në shëndetësi. Ky angazhim synon zgjerimin e shërbimeve dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja, për të garantuar një kujdes shëndetësor cilësor dhe më të aksesueshëm, pa barriera kufitare për qytetarët e të dy vendeve.



1 nga 4
/k.s/r.e/
Burimi: ata.gov.al










