Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Zhaneta Beqiri reagon pas shkarkimit nga drejtimi i Kopshteve dhe Çerdheve

Zhaneta Beqiri reagon pas shkarkimit nga drejtimi i Kopshteve dhe Çerdheve
Foto: euronews.al

Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve të Tiranës, Zhaneta Beqiri, ka reaguar të hënën pas shkarkimit të saj nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook, ajo ka bërë bilancin e më shumë se 11 viteve në krye të këtij institucioni, duke hedhur poshtë çdo lidhje mes largimit të saj dhe auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas saj, auditi nuk ishte shkaku i largimit, por vendimi lidhet me arsye të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrave të institucionit apo me punën e saj si drejtuese deri më sot.

Beqiri, e cila e mori këtë detyrë në gusht të vitit 2015, thekson se e mbyll këtë kapitull me mirënjohje dhe krenari për punën e realizuar.

Postimi i plotë

Në gusht të vitit 2015 m’u besua një përgjegjësi e veçantë: kujdesi, mirërritja dhe edukimi i fëmijëve të Tiranës. Sot, pas më shumë se njëmbëdhjetë vitesh, e mbyll këtë kapitull me mirënjohje, krenari për punën e bërë dhe respekt për të gjithë bashkëpunëtorët me të cilët e ndava këtë rrugëtim.

Drejtimi i një institucioni publik është, para së gjithash, përgjegjësi ndaj qytetarëve, besimi i të cilëve fitohet me punë, korrektësi, transparencë dhe ndershmëri.

Gjatë këtyre viteve, me angazhim, përgjegjësi dhe profesionalizëm, kam punuar fort për të transformuar kulturën institucionale dhe qasjen ndaj shërbimit, në funksion të më të mirës për zhvillimin e plotë të potencialit të fëmijëve.

Sot, 2.333 punonjës të DPÇK-së kujdesen çdo ditë për rreth 13.000 fëmijë, duke u ofruar një mjedis të sigurt, shërbim cilësor dhe edukim me metodologji bashkëkohore.

Përtej shifrave dhe rezultateve, ajo që çmoj më shumë është marrëdhënia që kemi ndërtuar me mijëra familje të Tiranës. Falenderoj çdo prind dhe qytetar për besimin dhe vlerësimin ndër vite.

Çdo arritje u bë e mundur falë njerëzve me të cilët kam pasur privilegjin të punoj. Falenderoj çdo mësuese, edukatore, ndihmëse, specialiste, punonjëse dhe punonjës të DPÇK-së. Ju jeni forca e vërtetë e këtij institucioni.

Sqaroj për të gjithë, që nuk ka asnjë lidhje mes auditit të KLSH dhe largimit tim nga puna. Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe me punën time si drejtuese deri më sot!

Largohem me bindjen se vlera e punës së një drejtuesi mbetet te standardet e vendosura dhe te njerëzit që do ta çojnë punën përpara.

Funksionet janë të përkohshme. Përkushtimi ndaj njerëzve dhe vlera e punës së bërë mbeten.

Me respekt dhe mirënjohje për secilin prej jush,

Zhaneta Beqiri.

Veliaj shkarkon kryeinspektorin e IMT-së dhe drejtoreshën e Kopshteve dhe Çerdheve

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha