Nga Zef Preçi
Një reformë e nevojshme që rrezikon të përsërisë problemet e vjetra nëse rolet nuk ndahen qartë
Nisma për krijimin e një shoqërie shtetërore që do të përqendronte planifikimin, blerjen, magazinimin, transportin dhe shpërndarjen e barnave e pajisjeve mjekësore u bë publike si projektligj në gusht 2026. Raportimet mediatike të 17–20 nëntorit e paraqisnin ende si një projekt që qeveria synonte të çonte përpara, duke cituar ministren e Shëndetësisë për mundësinë e blerjeve drejtpërdrejt nga prodhuesit.
Megjithëse dy ditë më parë u raportua se ministrja e kishte firmosur projektin, nuk u identifikua një akt zyrtar që të konfirmonte fazën e mëtejshme procedurale. Ndërkaq më ra në dorë jozyrtarisht projektligji në fjalë që mban datën 22 Korrik 2026.
Sipas atij dokumenti, qeveria propozon krijimin e një shoqërie aksionare me kapital 100% shtetëror, e cila do të planifikojë, blejë, ruajë dhe shpërndajë barnat dhe pajisjet mjekësore për spitalet dhe institucionet e tjera shëndetësore publike. Si model përmendet Amgros, blerësi qendror i spitaleve publike në Danimarkë (Projektligji, 2026).
Pse ka rëndësi ky projektligj?
Nevoja për ndryshim është reale. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka gjetur se në tenderat e barnave për 44 spitale, me vlerë 6,66 miliardë lekë, tre nga katër lote kishin vetëm një ofertues dhe 62% e ofertave ishin pothuajse sa fondi maksimal i lejuar. Planifikimi bëhej me dorë, pa verifikuar nevojat reale (KLSH, MSHMS). Në të njëjtën kohë, 39 barna për trajtimin e kancerit nuk kishin kontratë furnizimi, ndërsa pacientët përballeshin me periudha pa mbulim ndërmjet dy kontratave (KLSH, Onkologji).
Mendimi im është se ideja e një blerësi qendror profesional është e drejtë, por teksti i propozuar nuk e zgjidh problemin kryesor që kanë evidentuar auditimet: mungesën e ndarjes së qartë të përgjegjësive. Në formën aktuale, ligji i jep shoqërisë njëkohësisht role tregtare, role politike dhe elementë rregullatorë, ndërsa pronari, rregullatori dhe paguesi ulen në të njëjtin bord.
Më poshtë shpjegojmë katër shqetësimet kryesore dhe çfarë duhet ndryshuar.
1. Pronari, rregullatori dhe paguesi në të njëjtën tryezë
Sipas projektligjit, aksionare e shoqërisë do të jetë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) (neni 3), e njëjta ministri që harton politikën e barnave dhe mbikëqyr si agjencinë e barnave, ashtu edhe komisionin që cakton çmimet.
Në bordin me shtatë anëtarë, gjashtë vijnë nga institucione shtetërore, përfshirë Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM), që kontrollon cilësinë dhe autorizon barnat, dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), që paguan rimbursimin dhe do të jetë njëkohësisht klient i shoqërisë. Vetëm një anëtar është ekspert i pavarur (neni 16). Administratorin e emëron asambleja, pra në praktikë ministria (nenet 18-19) (Projektligji, 2026).
Kjo bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Udhëzimet e Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për qeverisjen e shoqërive shtetërore kërkojnë që funksioni i pronarit të ndahet nga rregullimi i tregut dhe nga institucionet që janë klientë ose furnitorë të shoqërisë (OECD, Udhëzimet).
Vetë OECD vëren se Shqipëria nuk ka një politikë shtetërore pronësie, se në bordet e shoqërive shtetërore ulen persona me lidhje politike, përfshirë zëvendësministra, dhe se shteti shpesh i anashkalon bordet kur emëron drejtuesit (OECD, 2024). Në praktikë, kjo do të thotë se rregullatori mund të mbikëqyrë një shoqëri në bordin e së cilës ulet vetë, ndërsa paguesi mund të vendosë për tarifat që i paguan vetes.
Zgjidhja nuk është e ndërlikuar. Pronësia duhet të kalojë te Ministria e Financave (MF) ose te një njësi e veçantë pronësie, e ndarë nga ajo që harton politikat. AKBPM duhet të dalë nga bordi, shumica e anëtarëve duhet të jenë profesionistë të pavarur të përzgjedhur me konkurrim të hapur, dhe administratori duhet të emërohet nga bordi me kontratë performance.
2. Paratë publike dhe rreziqet e fshehura fiskale
Shoqëria do të financohet kryesisht nga tarifat që u ngarkon spitaleve, por ligji nuk thotë si llogariten këto tarifa (neni 5). Edhe rezerva strategjike kombëtare e barnave, që është një detyrim publik, do të financohet nga të njëjtat burime (neni 6). Kështu kostoja e një shërbimi publik fshihet në çmimet që paguajnë spitalet.
Projektligji lejon gjithashtu që pronat shtetërore të jepen me qira, në sipërmarrje të përbashkëta ose si kolateral për kredi (nenet 7 dhe 10), ndërsa kërkon vetëm auditim ligjor të pasqyrave financiare (neni 13) (Projektligji, 2026).
Këto dispozita janë shqetësuese në një sistem ku, sipas Support for Improvement in Governance and Management (SIGMA), programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe OECD për reformën e administratës, rreziqet fiskale të shoqërive shtetërore raportohen dobët. Shoqëritë nuk detyrohen t’ia dorëzojnë pasqyrat e audituara MF-së dhe nuk ekziston një raport i konsoliduar për borxhin e tyre (SIGMA, 2024).
Nëse shoqëria merr hua ose vë peng pronë publike, rreziku në fund bie mbi buxhetin e shtetit, edhe pse ligji thotë se shteti nuk mban përgjegjësi për detyrimet e saj. Ligji duhet të përcaktojë një metodologji tarifash të miratuar nga aksionari dhe MF, kufij huamarrjeje, ndalim ose miratim paraprak për përdorimin e pronës publike si kolateral, dhe dorëzim e publikim të detyrueshëm të pasqyrave financiare. Rezerva strategjike duhet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) si detyrim shërbimi publik dhe të financohet veçmas nga buxheti.
3. Neni 4, kush duhet të bëjë çfarë
Neni 4 rendit 18 veprimtari të shoqërisë, por i përzien detyrat operative me vendimet e politikës dhe me funksione që u përkasin rregullatorëve (Projektligji, 2026). Propozimi ynë është që këto pika të ndahen në tri grupe, sipas institucionit që duhet t’i mbajë.
Detyrat që i takojnë shoqërisë (10 pika).
Shoqëria duhet të jetë blerësi qendror i caktuar me ligj:
– të prokurojë dhe negociojë (pika 3),
– të menaxhojë zinxhirin e furnizimit (pika 4),
– të monitorojë kontratat dhe furnitorët (pika 5), të mbajë sistemet e informacionit (pikat 6 dhe 9, të bashkuara me nenin 12),
– të organizojë transportin pas një analize kosto-përfitim (pika 7),
– të lidhë kontrata (pika 11),
– të mirëmbajë pajisjet (pika 13) dhe
– të analizojë të dhënat (pika 15).
Monitorimi i kontratave është veçanërisht i rëndësishëm:
KLSH gjeti penalitete të paaplikuara prej 40 milionë lekësh te FSDKSH (KLSH, FSDKSH) dhe 49 raste vonesash në barnat onkologjike, të cilat u sanksionuan vetëm dy herë (KLSH, Onkologji). Megjithatë, edhe këtu duhen kufij. Huamarrja dhe garancitë duhet të miratohen nga aksionari dhe MF (SIGMA, 2024), krijimi i shoqërive bija duhet të vendoset nga pronari (pika 12), ndërsa shërbimet si lavanderia ose catering-u (pika 14) duhet të jenë vetëm opsionale, me marrëveshje me spitalet, që shoqëria të mos largohet nga misioni i saj farmaceutik. Depot e shoqërisë duhet të licencohen dhe inspektohen nga AKBPM si çdo operator tjetër.
Vendimet që i takojnë ministrisë, të cilat shoqëria vetëm i zbaton (5 pika).
Planifikimi i nevojave (pika 1) duhet të nisë nga ministria, e cila miraton listën e barnave thelbësore, protokollet e trajtimit dhe metodologjinë. MF dhe FSDKSH caktojnë tavanin buxhetor, spitalet identifikojnë nevojat, ndërsa shoqëria i mbledh dhe i verifikon ato. Kjo ka rëndësi sepse KLSH gjeti se planifikimi bëhej manualisht në Excel dhe kufizohej nga tavanet buxhetore, jo nga nevojat e pacientëve (KLSH, MSHMS; KLSH, Onkologji).
Planet periodike (pika 2) duhet të mbështeten në një letër pritshmërish nga ministria, sepse SIGMA vëren se ministritë nuk i drejtojnë efektivisht institucionet e varësisë (SIGMA, 2024).
Përbërja dhe financimi i rezervës strategjike (pika 8) dhe planifikimi i emergjencave shëndetësore (pika 16) mbeten po ashtu vendime të qeverisë.
Së fundi, për marrëveshje të hyrjes së menaxhuar, Managed Entry Agreements (MEA) (pika 17), domethënë marrëveshjet ku prodhuesi jep zbritje ose garanci në këmbim të përfshirjes së barit në rimbursim, vendimin për rimbursimin duhet ta marrin Këshilli i Ministrave (KM), MSHMS dhe FSDKSH, pas një vlerësimi të pavarur të vlerës klinike dhe ekonomike të barit. Shoqëria duhet të negociojë vetëm me mandat, ashtu siç vepron Amgros pas vlerësimit nga Këshilli Danez i Barnave (Amgros, Supplier Guide; Observatory, 2024). KLSH gjeti një rast ku çmimi i një marrëveshjeje të tillë nuk u ul edhe pse çmimi i importit ishte ulur (KLSH, Onkologji).
Pikat që duhen kufizuar ose hequr (2 pika).
Standardet e cilësisë, klasifikimi i pajisjeve dhe lista e barnave thelbësore u përkasin AKBPM-së dhe ministrisë. Shoqëria mund të mbajë vetëm katalogun tregtar dhe specifikimet e tenderëve, në përputhje me këto standarde (pika 10). Pika 18, që e lejon shoqërinë të ushtrojë “çdo veprimtari tjetër ekonomike, prodhuese apo tregtare”, duhet hequr ose kufizuar në veprimtari ndihmëse me miratim të asamblesë, sepse do ta kthente shoqërinë në konkurrente të operatorëve privatë dhe do të cenonte neutralitetin e tregut (OECD, Udhëzimet).
Po aq e rëndësishme sa ajo që shoqëria bën, është ajo që ajo nuk duhet të bëjë. Ligji duhet të shprehë qartë se autorizimi i barnave, licencimi i depove, inspektimet dhe kontrolli i cilësisë mbeten te AKBPM; çmimet maksimale te Komisioni i Çmimit të Barnave; lista e rimbursimit dhe kontratat me farmacitë te FSDKSH; rregullat e prokurimit dhe ankesat te Agjencia e Prokurimit Publik (APP) dhe Komisioni i Prokurimit Publik (KPP); ndërsa mbikëqyrja e konkurrencës te Autoriteti i Konkurrencës.
Auditimet tregojnë pse kjo ndarje ka rëndësi: 116 nga 253 barna onkologjike të autorizuara nuk ishin importuar kurrë dhe farmacitë spitalore nuk u inspektuan asnjëherë gjatë 2022-2024 (KLSH, Onkologji); 28 barna në listën e rimbursimit nuk kishin çmim importi të miratuar (KLSH, FSDKSH); dhe në 27 lote i vetmi ofertues ishte një bashkim operatorësh me oferta vetëm 0-5% nën fondin maksimal (KLSH, MSHMS). Këto janë dobësi të rregullimit dhe mbikëqyrjes, të cilat nuk zgjidhen duke ia kaluar rolin rregullator një shoqërie tregtare.
4. Planifikimi, konkurrenca dhe një tekst që duhet pastruar
Qëllimet e ligjit (neni 1), si efikasiteti, transparenca dhe konkurrenca, janë të mira, por nuk maten. SIGMA vëren se planet e institucioneve shqiptare përshkruajnë aktivitete, jo rezultate (SIGMA, 2024). Ligji duhet të lidhet me tregues konkretë: disponueshmërinë e barnave thelbësore, kohën e furnizimit, kursimet dhe numrin mesatar të ofertuesve për lot.
Mundësia për blerje ndërkombëtare (neni 11) është e vlefshme, sepse KLSH gjeti se asnjë operator i huaj nuk mori pjesë në tenderat e ministrisë, edhe pse ato u publikuan në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian (KLSH, MSHMS). Por marrëveshjet me shtete ose organizata të tjera duhet të miratohen nga KM dhe MSHMS, jo vetëm nga bordi.
Platforma elektronike e shoqërisë (neni 12) duhet të lidhet detyrimisht me sistemin e-Depo të FSDKSH-së dhe me regjistrin e AKBPM-së, sepse KLSH gjeti çmime të ndryshuara me dorë në e-Depo (KLSH, FSDKSH). Dispozitat për personelin (neni 20) duhet të përfshijnë deklarimin e interesave, rotacionin e stafit të prokurimit dhe një kanal sinjalizimi, duke pasur parasysh konfliktet e interesit që KLSH ka gjetur në strukturat e kontrollit të FSDKSH-së (KLSH, FSDKSH).
Teksti mbart edhe gjurmë të qarta të kopjimit të ligjit për KAYO, shoqërinë shtetërore të industrisë së mbrojtjes (Ligji 88/2024): shënimi “(SHTO NENIN 10 TE KAYO)”, një referencë e gabuar te ligji nr. 88/2024 në nenin 17 dhe një e drejtë vetoje mbi kapitalin që ka kuptim për industrinë ushtarake, jo për barnat.
Nenet 8 dhe 9 mungojnë, kapitali themeltar është lënë bosh dhe bordi cakton vetë pagat e veta. Mungojnë gjithashtu dispozitat kalimtare për marrëveshjet kuadër ekzistuese të ministrisë për 44 spitale (KLSH, MSHMS). Pa një plan tranzicioni prej 12-24 muajsh rrezikojmë të përsërisim periudhat pa mbulim që KLSH ka dokumentuar tashmë për barnat onkologjike (KLSH, Onkologji).
5. Çfarë rekomandojmë?
1. Ndani rolet: pronësia te MF ose te një njësi e veçantë pronësie; AKBPM jashtë bordit; shumicë anëtarësh të pavarur; administrator i emëruar nga bordi me konkurrim (OECD, 2024; OECD, Udhëzimet).
2. Rishkruani nenin 4 në tri pjesë: detyrat e shoqërisë, detyrat që ajo kryen me mandat të ministrisë dhe një dispozitë e qartë se shoqëria nuk ushtron funksione rregullatore. Pika 18 të hiqet.
3. Planifikoni mbi të dhëna: metodologji e miratuar nga ministria, me të dhëna për konsumin, stoqet dhe sëmundshmërinë (KLSH, MSHMS; KLSH, Onkologji).
4. Rritni konkurrencën: blerje ndërkombëtare, ndarje më e mirë e loteve dhe bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës (KLSH, MSHMS).
5. Mbroni paratë publike: pasqyra financiare të audituara dhe të publikuara, kufij huamarrjeje, rezervë strategjike e financuar veçmas, letër vjetore pritshmërish dhe raport vjetor në Kuvend (SIGMA, 2024).
6. Pastroni tekstin: hiqni mbetjet nga ligji për KAYO-n (Ligji 88/2024), rinumëroni nenet dhe shtoni dispozita kalimtare.
Botuar në DITA
Burimi: gazetadita.al










