Në politikën shqiptare, emrat e partive kanë mbetur si relikte. Veprimet e tyre praktike ecin në drejtim të kundërt me doktrinën që mbajnë në sigël. Rasti më i fundit është projektligji për “Autonominë Spitalore”, i depozituar në Kuvend nga një deputet anonim, i cili u hap rrugën kompanive private për të marrë në dorë menaxhimin dhe konsulencën e spitaleve publike, ndërkohë që sallat, skanerët, rezonancat dhe stafi shtetëror vihen në treg kundrejt pagesës.
Socializmi dhe shëndetësia si e mirë publike
Për këdo që njeh sadopak teorinë dhe traditën politike të së majtës, kjo nismë nuk ka aspak lidhje me socializmin. Socializmi dhe socialdemokracia moderne europiane e shohin kujdesin shëndetësor si një të mirë publike universale dhe një të drejtë themelore, ku shteti garanton akses të barabartë për çdo qytetar, pavarësisht gjendjes financiare. Në një model socialist, shëndetësia matet me nevojën e pacientit, jo me trashësinë e portofolit të tij.
Spitali publik si ndërmarrje tregtare
Projektligji i ri bën pikërisht të kundërtën. E shndërron spitalin publik në një ndërmarrje tregtare. Sipas draftit, spitalet publike mund të blejnë menaxhim dhe konsulencë nga kompani private me vetë paratë e arkëtuara nga pacientët, duke anashkaluar edhe procedurat klasike të koncesioneve dhe PPP-ve. Paralelisht, ato do të dalin në treg si shitëse të aparaturave dhe kapaciteteve shtetërore për klinika private, kompani sigurimesh, prova klinike, turizëm shëndetësor, etj.
Dy standarde trajtimi
Edhe më problematike për parimin e barazisë është institucionalizimi i “korsisë preferenciale” dhe zgjerimi pa kufij i “praktikës së dyfishtë”. Bordi i spitalit vendos vetë tarifa për shërbime jashtë paketës së sigurimeve. Qytetarët mund të anashkalojnë sistemin e referimit duke paguar për shërbim të shpejtë. Kështu shëndetësia publike ndahet zyrtarisht në dy standarde. Nga njëra anë krijohet një “korsi e shpejtë” për ata që kanë mundësi të paguajnë. Nga ana tjetër mbetet radha e gjatë e pritjes për qytetarët e zakonshëm, që paguajnë kontribute dhe taksa pikërisht për të pasur shërbim publik dinjitoz.
Po ashtu, lejimi i mjekëve që të kryejnë ekzaminime, trajtime dhe ndërhyrje kirurgjikale private brenda ambienteve dhe me pajisjet e spitalit publik ngre një dilemë të madhe etike dhe praktike. Kur i njëjti mjek dhe e njëjta sallë operacioni funksionojnë edhe për shërbimin publik falas, edhe për shërbimin privat me pagesë, konflikti i interesit bëhet i pashmangshëm. Kush do të ketë përparësi kur burimet, koha dhe pajisjet janë të kufizuara?
Argumenti “kështu e ka bota”
Qeveria dhe mbështetësit e kësaj nisme do të përdorin gjuhën e njohur të banalitetit “kështu e ka dhe bota”. Këtë herë marrin shembull modelin turk të menaxhimit spitalor. Por qartazi, kjo është një qasje që e trajton shëndetësinë si industri shërbimesh, jo si mision social.
Hendeku mes emrit dhe vendimeve
Partia Socialiste alla Ramë merr votat e një elektorati që tradicionalisht beson te shteti social, te solidariteti, te mbrojtja e shtresave të zakonshme, te shërbimet publike të forta e të barabarta (po flasim për qytetarë, jo për torollakët e teatrit të llogoreve). Megjithatë, në vendimmarrje, ajo prodhon ligje që komercializojnë edhe shëndetësinë publike, legjitimojnë dy shpejtësi trajtimi për pacientët dhe i hapin dyert privatizimit të plotë të menaxhimit spitalor.
Kur një parti “e majtë” zbaton vazhdimisht politika të tilla në sektorët më jetikë të shoqërisë, hendeku mes emrit që mban dhe vendimeve që merr bëhet i pamundur për t’u fshehur. Koston e këtij eksperimenti të ri, si zakonisht, do ta paguajë ai shqiptari i zakonshëm që pret në radhë për shërbimin publik.
DITA
Burimi: gazetadita.al










