Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Naim Murseli e mbajti për krahu, sipas aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt

Naim Murseli e mbajti për krahu, sipas aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt
Foto: balkanweb.com

Gjykata e Apelit ka zbardhur detaje të rënda nga vrasja e Liridona Ademajt, duke konfirmuar dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.

Në aktgjykimin e siguruar nga mediat në Kosovë, Apeli ka përshkruar në detaje mënyrën se si u krye vrasja e Liridonës në nëntor të vitit 2023. Gjykata thekson se krimi ishte planifikuar paraprakisht dhe u krye në prani të dy fëmijëve të saj.

Roli i Murselit në momentin e ekzekutimit

Një nga detajet më të rënda të përshkruara në vendimin e shkallës së dytë lidhet me rolin e Naim Murselit në momentin e ekzekutimit. Sipas aktgjykimit, ai e kishte kapur Liridonën për krahu, në mënyrë që Granit Plava ta qëllonte me armë dhe të sigurohej që plumbi të ishte fatal.

“Naim Murseli e ka mbajtur me dorë tani të ndjerën, duke e kapur për krahu, krejt kjo me qëllim që e shtëna me armë të jetë e saktë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas gjykatës, Plava e privoi Liridonën nga jeta me vetëm një të shtënë. Veprimet e Murselit, sipas aktgjykimit, dëshmojnë elementin e dinakërisë dhe përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në realizimin e vrasjes.

Mungesa e pendimit dhe daljet në lokale pas krimit

Një tjetër element që ka ndikuar në vlerësimin e gjykatës është sjellja e të dënuarve pas kryerjes së krimit.

Në aktgjykim thuhet se, ndonëse kishin planifikuar vrasjen në detaje, të akuzuarit vazhduan aktivitetet e tyre të zakonshme, përfshirë frekuentimin e lokaleve për argëtim, pa shfaqur shenja dhimbjeje për viktimën.

“Sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale, ku para kryerjes së veprës penale të akuzuarit e bëjnë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa, pas kryerjes së veprës penale, të akuzuarit vazhdojnë me aktivitetet e tyre edhe të argëtimit, duke shkuar në lokale, pra, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”, thuhet në vendimin e Apelit.

Pse Kokalla nuk u dënua me burgim të përjetshëm?

Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të familjes së Liridona Ademajt që Kushtrim Kokallës t’i shqiptohej burgim i përjetshëm.

Në arsyetimin e saj, gjykata thekson se Kokalla është dënuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale. Legjislacioni parashikon dënim më të butë për personat që ndihmojnë në kryerjen e një krimi, krahasuar me kryerësit e drejtpërdrejtë.

Për këtë arsye, Apeli ka lënë në fuqi dënimin prej 30 vjetësh burgim për të.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 prill 2026, kishte dënuar Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim. Gjykata e Apelit tashmë i ka vërtetuar këto dënime.

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha