Legjenda e boksit botëror, Mike Tyson, po provon një përvojë të re larg ringut, këtë herë në botën e aktrimit. Ish-kampioni i peshave të rënda do të jetë pjesë e serialit turk “Tuzlu Kahve”, i cili transmetohet në ekranin e Star TV.
Tyson do të shfaqet në episodin e 13-të të produksionit, ku do të interpretojë një mik të Mehmetit, personazhit të luajtur nga aktori Buğra Gülsoy. Sipas skenarit, ai vjen nga Shtetet e Bashkuara për të vizituar mikun e tij.
Lajmi u bë publik përmes një promoje të transmetuar nga televizioni, e cila paraqitet me mbishkrimin “Surpriza Mike Tyson”. Në sekuencat e shkurtra, ish-boksieri shihet teksa mbërrin në shtëpinë e Mehmetit, ku e pret familja e tij.
Tradita turke gjatë vizitës
Vizita e tij shoqërohet edhe me disa tradita turke. Hatun, personazhi i interpretuar nga Binnur Kaya, e mirëpret me gatime tradicionale, mes tyre edhe ‘mıhlama’, si dhe kafe turke. Ndërsa Candan, e luajtur nga Şevval Sam, shfaq interes për t’i lexuar filxhanin e kafesë mysafirit të famshëm.
Një angazhim i planifikuar
Përfshirja e Tyson në këtë projekt nuk erdhi krejt papritur. Më 26 tetor, ai mbërriti në Stamboll së bashku me familjen e tij dhe, gjatë një deklarate për gazetarët në një terminal privat, u zbulua se kishte një angazhim të planifikuar në një produksion televiziv.
Tani, fansat do të kenë mundësinë ta shohin kampionin e njohur në një kontekst krejt ndryshe nga ai me të cilin janë mësuar ta ndjekin ndër vite.
Burimi: bordo.al









