Milani ka marrë fitoren e dytë në Europa League pas ndeshjeve të xhiros së pestë. Kuqezinjtë fituan me përmbysje 2-4 ndaj Olympiacos. Sfida u zhbllokua në minutën e 31-të, kur Lorenzo Pirola goditi me kokë dhe topi fillimisht u përplas në traversë, më pas në trupin e Mike Maignan, duke përfunduar në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për skuadrën greke.
Përmbysja e Milanit
Jota Silva dyfishoi për grekët në fillim të pjesës së dytë, pasi zuri të papërgatitur mbrojtjen kuqezi. Në minutën e 56-të, kuqezinjtë ngushtuan shifrat me golin e bukur të Omari Hutchinson. Anglezi depërtoi mirë në zonë dhe gjeti golin me një goditje fantastike qendrore nga distanca.
Në minutën e 63-të, Milani barazoi shifrat me Alphadjo Cisse, i cili shënoi me kokë pas krosimit të Hutchinson. Në minutën e 71-të, kuqezinjtë gjetën golin e tretë dhe të avantazhit me Christian Pulisic. Amerikani shënoi me një goditje fluturimthi, pas asistit të Hutchinson. Në minutën e fundit shtesë, Diego Moreira shënoi golin e katërt për kuqezinjtë.
Pozita në tabelë
Milani fitoi përfundimisht 2-4, por sërish gjendet në pjesën e fundit të renditjes që të dërgon në play-off. Momentalisht kuqezinjtë renditen në vendin e 21-të, me 6 pikë, pas pesë xhirove të para.
Sfidat e tjera
Në sfidat e tjera, Bournemouth mori një fitore heroike 1-2 në transfertë ndaj Celta Vigo, edhe pse me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të ndeshjes. Vendasit mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0 me golin e Iago Aspas. Alvaro Rodriguez dhe Rayan përmbysën shifrat në pjesën e dytë, duke i dhënë Bournemouth fitoren e pestë radhazi.

Plzen fitoi 4-0 në shtëpi ndaj Benfica. Leverkusen mori një fitore të rëndësishme 0-2 në transfertë ndaj Dinamo Zagreb. Besiktas dhe Hapoel Be’er Sheva vazhdojnë 0-0; ndeshja nisi me disa minuta vonesë pas përplasjes mes dy grupeve tifozësh në shkallët e stadiumit.
Burimi: telesport.al










