Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Duka: Euro U-21 2027 është mundësi historike për futbollin shqiptar

Duka: Euro U-21 2027 është mundësi historike për futbollin shqiptar
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e cilësoi sot organizimin e Kampionatit Europian U-21 2027 si një ngjarje historike për futbollin shqiptar dhe një mundësi të rëndësishme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Gjatë ceremonisë së hedhjes së short-it të kompeticionit në Beograd, Duka mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi rëndësinë e këtij eventi, që Shqipëria do ta bashkorganizojë me Serbinë në qershor të vitit 2027.

Një ngjarje e rëndësishme për Europën

“Jam shumë i lumtur që përfaqësoj futbollin shqiptar në një event shumë të rëndësishëm për futbollin europian në përgjithësi. Kampionati Europian U-21 është kompeticioni i dytë më i rëndësishëm që organizon UEFA për ekipet kombëtare, pas atij të ekipeve A”, u shpreh Duka.

Ai theksoi se për Shqipërinë është hera e parë që merr përsipër organizimin e një kompeticioni të këtyre përmasave, ndërsa përfaqësuesja U-21 do të marrë pjesë për herë të parë në një turne të tillë madhor.

Mundësi për të rinjtë

“Për ekipin tonë kombëtar është hera e parë që marrim pjesë në një event të tillë të rëndësishëm. Është hera e parë që futbollistët tanë të rinj do të përballen me më të mirët e Europës. Unë u uroj shumë atyre që të marrin eksperiencën e duhur dhe ta shfrytëzojnë këtë moment historik për karrierën e tyre futbollistike”, tha presidenti i FSHF-së.

Duka nënvizoi gjithashtu ndikimin që ky kompeticion mund të ketë te fëmijët dhe të rinjtë e të dy vendeve, duke i motivuar ata të merren me futboll dhe të ndërtojnë ëndrrat e tyre sportive.

Sipas tij, infrastruktura e ndërtuar dhe stadiumet e rinovuara për këtë kampionat do të mbeten në shërbim të brezave të rinj edhe pas përfundimit të aktivitetit.

Bashkëpunimi me Serbinë dhe përvoja shqiptare

Duke u ndalur te bashkorganizimi me Serbinë, Duka tha se të dy federatat kanë përgjegjësinë për të dëshmuar se ky bashkëpunim u shërben të dy vendeve dhe për të garantuar një organizim sa më të mirë.

Ai kujtoi edhe përvojën e FSHF-së në organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare, përfshirë finalen e UEFA Conference League në Tiranë dhe Kampionatin Europian U-17 në vitin 2025.

“Me eksperiencën, me përkushtimin dhe me shumë punë, besoj që do të jemi të suksesshëm”, u shpreh Duka, duke shprehur dëshirën që futbollistët, skuadrat dhe tifozët të ndihen si në shtëpi gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe Serbi.

Në përfundim, ai theksoi se organizimi i EURO U-21 2027 është një mundësi për të promovuar vendin dhe për të nxitur vizitorët që ta rikthejnë Shqipërinë në destinacionin e tyre.

/gj.m/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha