Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Strabane tërhiqet nga gara për Qytetin e Kulturës 2028

Strabane tërhiqet nga gara për Qytetin e Kulturës 2028
Foto: kultplus.com

Qyteti i Strabanes, në kontenë Tyrone të Irlandës së Veriut, është tërhequr nga gara për titullin “UK Town of Culture 2028”, pasi pjesëmarrja në këtë konkurs shkaktoi përçarje të thella në komunitetin lokal.

Këshilli i Qytetit të Derry-t dhe Strabanes votoi të mërkurën kundër vazhdimit të aplikimit, edhe pse Strabane ishte përzgjedhur më herët në mesin e 15 qyteteve dhe lokaliteteve që kishin hyrë në listën e ngushtë të garës. Konkursi, i organizuar nga Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport i Mbretërisë së Bashkuar, parashihte një çmim prej tre milionë paundësh për fituesin, ndërsa dy finalistët e tjerë do të përfitonin nga 250 mijë paundë secili.

Debati për emërtimin britanik

Debati kryesor lidhej me emërtimin “UK Town of Culture”, të cilin një pjesë e konsiderueshme e banorëve nuk e konsideronte përfaqësues të identitetit të qytetit. Strabane është një qytet me shumicë nacionaliste irlandeze, ndaj kundërshtimet ndaj përfshirjes së tij në një garë me emërtimin britanik u shndërruan në çështje të ndjeshme politike dhe shoqërore.

Këshilltari i pavarur Paul Gallagher, njëri nga propozuesit e mocionit për tërheqje, deklaroi se gara kishte shkaktuar “përçarje të madhe në Strabane”, duke paralajmëruar se vazhdimi i saj mund të dëmtonte marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve.

Edhe përfaqësuesit e Sinn Féin dhe Partisë Socialdemokrate dhe Laburiste (SDLP), të cilët fillimisht kishin mbështetur kandidaturën, votuan për mosvazhdimin e procesit. Këshilltari i Sinn Féin, Brian Harte, tha se emërtimi britanik i konkursit kishte penguar një pjesë të madhe të komunitetit dhe grupeve lokale që të identifikoheshin me projektin.

Reagimet pas vendimit

Vendimi ka nxitur reagime të ndryshme. Organizata lokale e bizneseve Love Strabane e konsideroi tërheqjen të arsyeshme për ruajtjen e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, ndërsa përfaqësues të sektorit kulturor e cilësuan atë si një mundësi të humbur për artistët, grupet muzikore, trupat e vallëzimit dhe organizatat historike të qytetit.

Poetja nga Strabane, Maureen Boyle, e cila kishte përgatitur një aktivitet në kuadër të kandidaturës, u shpreh e zhgënjyer nga vendimi, duke theksuar se projekti do të mund t’i sillte qytetit financim dhe njohje më të madhe.

Sipas të dhënave të prezantuara në këshill, nga 146 formularë të mbledhur gjatë dy takimeve publike në fillim të nëntorit, 140 ishin kundër vazhdimit të kandidaturës, ndërsa vetëm gjashtë e mbështesnin atë.

Pavarësisht tërheqjes, këshilli ka paraparë të zhvillojë një program të vetin kulturor për Strabanen gjatë vitit 2028. Ndërkohë, organizatorët e konkursit kanë konfirmuar se qyteti nuk do të zëvendësohet nga një kandidat tjetër në këtë fazë të garës./KultPlus.com

Strabane tërhiqet nga gara për Qytetin e Kulturës 2028

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha